Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premton adresimin e urgjencës për problemet e banorëve të Astirit dhe mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vizituar zonën e Astirit, duke e cilësuar atë si një nga zonat më problematike të Tiranës. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka lavdëruar banorët e Astirit për qëndresën dhe ka premtuar që, në qeverisjen e ardhshme, do të adresohen me urgjencë të gjitha problemet e krijuara nga neglizhenca dhe urrejtja që Qeveria e Edi Ramës ka shfaqur ndaj kësaj zone.
Berisha ka theksuar se përpjekjet e Qeverisë së Edi Ramës për të injoruar dhe bojkotuar Astirin, duke lënë banorët pa ndihmën e duhur, do të përballen me një përgjigje të fortë nga Partia Demokratike. Ai garantoi se infrastruktura e Astirit do të përmirësohet, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, rrugët dhe shërbimet e tjera për qytetarët.
Një nga shqetësimet më të mëdha të banorëve të Astirit është mungesa e institucioneve arsimore, si çerdhet dhe kopshte. Berisha e cilësoi këtë si një akt të urryer kundër fëmijëve, duke theksuar se ky është një problem që do të zgjidhet me prioritet. “Të lësh një zonë kaq të gjerë, një popullatë që shkon në 60-70 mijë banorë, pa shkolla dhe çerdhe, do të thotë të urresh fëmijët, shkollimin e tyre, të ardhmen e tyre,” tha ai.
Kryetari i PD-së gjithashtu ka kritikuar Qeverinë për trajtimin e të sëmurëve, duke përmendur rastet e pacientëve të spitalit Onkologjik dhe të tjera, të cilët, sipas tij, janë lënë pa ilaçe dhe pa trajtim të duhur. “Për ata që janë të sëmurë, ilaçet nuk do t’u mungojnë kurrë. Edhe sikur të mos kishim para, do t’i shisnim stolitë e grave që ata të mjekohen,” shtoi Berisha.
Gjithashtu brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, do të ndërmerren masa për të siguruar që shqiptarët të kenë një sistem shëndetësor dhe farmacitë të mbushura me ilaçe, duke i dhënë atyre të njëjtën listë rimbursimi që ka Italia.
Berisha e mbylli fjalën e tij me një mesazh të fortë ndaj qeverisë aktuale: “Ai që i lë njerëzit pa ilaçe është i aftë të kryejë krime kundër njerëzimit dhe nuk ka asgjë të përbashkët me qytetërimin.” Ai garantoi se, në qeverisjen e ardhshme, ky kalvar do të marrë fund dhe shqiptarët do të kenë një sistem të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.