Përmes një ligji të ri, Finlanda ka ndaluar përdorimin e celularëve në shkolla, duke i lejuar ata vetëm për arsye të miratuara nga mësuesi.
Finlanda ka miratuar një vendim të ri që kufizon përdorimin e celularëve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë orarit të mësimit, për shkak të shqetësimeve në rritje mbi ndikimin negativ që ato kanë në përqendrimin, mirëqenien dhe procesin e të nxënit te fëmijët. Sipas ligjit të miratuar nga parlamenti finlandez, përdorimi i celularëve do të jetë i lejuar vetëm në rastet kur mësuesi miraton përdorimin e tyre dhe vetëm për arsye arsimore ose shëndetësore.
Nëse një nxënës përdor celularin në mënyrë që pengon procesin mësimor, drejtori ose mësuesi ka të drejtën ta përjashtojë atë nga klasa përkohësisht. Ky vendim synon të përmirësojë përqendrimin dhe të shmangë shqetësimet që vijnë nga përdorimi i pajisjeve elektronike në shkolla, të cilat mund të ndikojnë në efikasitetin e mësimit.
Përveç kësaj, Ministria e Arsimit dhe Kulturës e Finlandës është urdhëruar të realizojë një studim të detajuar mbi ndikimin e kufizimit të përdorimit të celularëve në sistemin arsimor, si në Finlandë, ashtu edhe në vendet e tjera. Ky studim pritet të përfundojë brenda një viti dhe mund të pasojë me masa shtesë, nëse janë të nevojshme. Ky hap është një mundësi për të vlerësuar efektet e mundshme të këtij kufizimi dhe për të kuptuar më mirë ndikimin e tij në performancën e nxënësve.
Finlanda i bashkohet një grupi të madh vendesh evropiane që kanë ndërmarrë masa të ngjashme. Për shembull, Danimarka ka deklaruar një ndalim të ngjashëm të celularëve në shkolla për këtë vit, ndërsa Franca ka ndaluar përdorimin e telefonave për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm që nga viti 2018. Në Norvegji, përdorimi i rrjeteve sociale është i kufizuar për individët nën moshën 15 vjeçare, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së moshave të reja nga ndikimet e mundshme negative të teknologjisë.