Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, shprehu entuziazmin për protestën e djeshme, të cilën e quajti një çlirim për tre orë të kombit dhe një rifitim të përkohshëm të sovranitetit.
Ai falënderoi pjesëmarrësit, duke i cilësuar si heronj dhe njerëz me kurajo të jashtëzakonshme.
“Mbrëmë, Shqipëria u çlirua për tre orë dhe rifitoi sovranitetin për të njëjtën periudhë. Fitorja më e madhe ishte mesazhi i shpresës që përcollëm: opozita nuk ka frikë nga asnjë narkoshtet,” theksoi Berisha. Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që morën pjesë, duke i cilësuar si heronjtë e Shqipërisë, të cilët kanë përkrahjen e kombit të tyre.
Duke përmendur raportin e fundit nga projekti botëror i drejtësisë, Berisha u shpreh se “Shqipëria ndodhet nën një ‘pushtim’ të egër, që po shkatërron drejtësinë dhe e ka ulur vendin në rangje më të ulëta edhe se Vietnami, duke i bërë shqiptarët të largohen masivisht, siç tregojnë të dhënat e fundit të Eurostat.”
Sipas Berishës, ky ‘pushtim’ ka pasoja të rënda, përfshirë ndalimin dhe burgosjen e liderëve të opozitës dhe mbrojtësve të ligjit, ndërsa ata që janë të lidhur me krimin trajtohen me privilegje dhe përfitime. Në këtë mënyrë, për Berishën, çlirimi i tre orëve nga narkoshteti ishte një shenjë e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe demokraci.
“Ne nuk ndalemi dhe nuk tërhiqemi! Narkopolicia ndërhyri dje ndaj protestuesve paqësorë, me urdhër për ta ndalur protestën, por nuk ia dolën. Mosbindja jonë vazhdoi pa u ndërprerë dhe pa iu dorëzuar asnjë presioni,” tha ai, duke theksuar se qëndresa e ardhshme do të jetë edhe më e fuqishme dhe më e gjatë.
Berisha e përfundoi fjalimin e tij me një paralajmërim për kryeministrin, duke kërkuar ndërprerjen e dhunës dhe presionit ndaj demokratëve dhe theksoi se çdo veprim i mëtejshëm do ta bëjë atë personalisht përgjegjës për situatën që po përjeton vendi.