Policia po ushtron presion ndaj opozitës, nën urdhrat e Ramës dhe zbatimin nga Hoxha dhe forcat policore, duke treguar se marrëveshja me krimin nuk është rruga jonë dhe nuk do të jetë kurrë.
Partia Demokratike dënon me vendosmëri arrestimet e drejtuesve kryesorë të opozitës në Elbasan, Fier, dhe veçanërisht atë të kryetarit të PD-së në Pogradec, z. Genti Cela.
Në një akt që ngjan me metodat e diktaturës, policia ka thirrur të gjithë drejtuesit e opozitës për t’u përgjigjur, përfshirë deputetët tanë në Kuvend.
Çdo arrestim dhe presion ndaj demokratëve dhe opozitarëve do të marrë përgjigjen e duhur. Opozita nuk trembet dhe nuk ndalet. Paralizimi që i bëmë vendit për tre orë ishte vetëm fillimi, një etapë e parë në mosbindjen civile.
Aksioni i djeshëm ishte vetëm një pjesë e asaj që mund të ndërmarrim, pjesë e strategjive të ndryshme të mosbindjes civile. Rama, i shqetësuar nga paralajmërimet tona, ka reaguar duke dërguar forca policore për të na penguar, por ky veprim na shton vendosmërinë.
Edi Rama mund të ndërtojë mbrojtje rreth vetes, por çdo përpjekje për të penguar zërin e popullit do ta afrojë më pranë fundit të saj. Demokratëve u bëj thirrje të qëndrojnë të vendosur dhe pa frikë: Edi nuk është veçse një kopje e dështuar e së shkuarës dhe e keqja nuk ka forcë të na ndalë.