Vetëm 14 bashki kanë rritur borxhin e prapambetur, ndërsa të tjerat përballen me vështirësi financiare e mungesë plani të qartë shlyerjeje.
Sipas raportit të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë për vitin 2024, detyrimet e prapambetura të 61 bashkive në vend arritën në 3.2 miliardë lekë, afërsisht 33 milionë euro. Afati për hartimin e planit të shlyerjes është vendosur më 20 korrik 2025.
Pavarësisht rënies me 32.8% krahasuar me vitin 2023, situata financiare mbetet e paqëndrueshme. Të paktën 14 bashki kanë shtuar borxhet, ndërsa vetëm Këlcyra, Patosi dhe Mallakastra nuk kanë krijuar detyrime të reja.
Katër bashki – Kavaja, Vora, Cërriku dhe Dimali – renditen si më të rrezikuarat financiarisht. Në Kavajë, borxhi zë 59% të buxhetit vjetor, në Vorë 40%, në Cërrik 37% dhe në Dimal 33%.
Raporti i referohet ligjit “Për financat vendore”, ku çdo bashki që ka borxhe mbi 25% të shpenzimeve të veta konsiderohet në vështirësi serioze financiare dhe i nënshtrohet masave nga Ministria e Financave.
Këto masa përfshijnë ndihmë financiare, ristrukturim borxhesh dhe vendosje nën mbikëqyrje direkte, duke ndaluar çdo vendim për shërbime të reja apo shpenzime të shtuara jashtë planit të rehabilitimit.
Lista e dhjetë bashkive me më shumë borxhe kryesohet nga Kavaja me 23% të totalit kombëtar, e ndjekur nga Tirana (18%), Pogradeci, Vora, Rrogozhina, Dimali, Dibra, Cërriku, Peqini dhe Mati.
Rrogozhina, Mati dhe Berati kanë rritur ndjeshëm borxhet krahasuar me 2023, ndërsa Durrësi, Tirana, Vora, Lezha dhe Elbasani kanë shënuar përmirësim. Këlcyra dhe Patosi mbeten model pozitiv për të katërtin vit rresht.
Borxhi më i madh lidhet me faturat e papaguara të energjisë ndaj OSHEE, që përbëjnë 33% të totalit. Investimet e papërfunduara përbëjnë 29.2%, ndërsa shërbimet e kryera nga të tretët dhe vendimet gjyqësore përbëjnë pjesën tjetër.