Bashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, vijon të qëndrojë në detyrë, pasi Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ konfirmoi me shumicë votash vendimin e kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
KAS rrëzoi sërish padinë e ish-kandidatit të koalicionit PD-PL, Lefter Maliqi, i cili prej më shumë se tre vitesh kërkon ndërprerjen e mandatit të Hajdarit.
Në argumentimin e vendimit, Celibashi ka vlerësuar se dënimi i kryebashkiakut nuk krijon kushtet ligjore për ndërprerjen e mandatit, pasi dënimi me gjashtë muaj burgim është konvertuar në shërbim prove dhe 150 orë punë në komunitet.
Për këtë qëndrim, Celibashi i është referuar edhe precedentit të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Kreshnik Hajdari u dënua me vendim të formës së prerë në korrik të vitit 2024 me gjashtë muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, dënim i cili u konvertua në shërbim prove.
Çështja lidhet me faktin se Hajdari nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të marrë në Greqi, më 23 qershor të vitit 1999, për hyrje në territorin grek pa leje.
Vendimi i Gjykatës së Janinës ishte marrë kur Hajdari ishte 17 vjeç dhe më pas masa ishte ndryshuar në masë riedukuese, “qortim”, për shkak të moshës.
Ky episod ka sjellë një përplasje të gjatë politike dhe ligjore mes mazhorancës dhe opozitës, e cila ka kërkuar vazhdimisht heqjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës.
Por beteja nuk konsiderohet ende e mbyllur.
Lefter Maliqi dhe pala paditëse kanë të drejtën ta ankimojnë vendimin në Kolegjin Zgjedhor, që pritet të japë vendimin përfundimtar për këtë çështje.
Ndërkohë, Kreshnik Hajdari vijon mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë Kuçovë.
Nëse do të propozohet sërish nga Partia Socialiste, ai mund të kandidojë edhe për një mandat të tretë në zgjedhjet vendore të vitit 2027.