Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në Kuvend se fëmijët dhe të rinjtë përbëjnë grupin më të ekspozuar ndaj rrezikut të drogave, duke vënë theksin te nevoja për rritjen e sigurisë brenda dhe në perimetrin e institucioneve arsimore.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve nuk bie mbi një institucion të vetëm, por është detyrim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe aktorëve të tjerë institucionalë. Sipas tij, masat duhet të forcohen për të frenuar shpërndarjen e lëndëve narkotike, të cilat sot nuk kufizohen më vetëm te drogat tradicionale, por përfshijnë edhe substanca të reja të shpallura të paligjshme me ligj.
Në këtë kontekst, Balla ngriti edhe çështjen e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit, duke u shprehur hapur në favor të një ndalimi ligjor për fëmijët nën moshën 16 vjeç. “Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç”, deklaroi ai, duke e cilësuar këtë si një praktikë që po zbatohet nga shtete që, sipas tij, marrin përgjegjësi të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e fëmijëve, si Franca, Spanja dhe Australia.
Balla theksoi se një vendimmarrje e tillë nuk mund të merret në mënyrë të njëanshme, por duhet të paraprihet nga një konsultim i gjerë publik, duke lënë të kuptohet se debati mbi sigurinë e fëmijëve dhe ndikimin e rrjeteve sociale pritet të zgjerohet edhe në nivel politik dhe institucional.