Drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, ka shprehur besimin se partia do të fitojë shumicën cilësuese nga diaspora në zgjedhjet e 11 majit. Në një takim me gratë dhe vajzat shqiptare në Milano, Balla theksoi se bashkatdhetarët e dinë se vetëm me kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.
“Me zemër plot, dua të përshëndes 102,000 gra dhe vajza, së bashku me 144,000 burra dhe djem – gjithsej 246,000 shqiptarë nga e gjithë bota, të cilët do të votojnë më 11 maj. Jam shumë i sigurt që Partia Socialiste dhe Edi Rama do të marrin një mbështetje të fortë nga bashkatdhetarët tanë, sepse ata e dinë se vetëm me Edi Ramën dhe PS, Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së,” tha Balla.
Balla theksoi se një nga qëllimet kryesore të PS është realizimi i vizionit për Shqipërinë 2030, dhe ai beson se 11 maji është një mundësi për të realizuar këtë objektiv. “Prandaj, është shumë e rëndësishme që më 11 maj të votojmë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën,” shtoi ai.
Duke u fokusuar te diaspora, Balla përsëriti se synimi i PS është të sigurohet shumica cilësuese në Kuvendin e Shqipërisë, që do të mundësojë miratimin e reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian gjatë këtij mandati. “Në këtë mënyrë, do të realizojmë vizionin tonë për Shqipërinë 2030,” përfundoi Balla.
Kujtojmë që takimi i radhës me emigrantët do të mbahet nga kryeministri Edi Rama në Milano më 13 prill. Ky do të jetë takimi i dytë i këtij viti, pas vizitave të tij të mëparshme në Kretë dhe Athinë.