Përpara godinës së Prokurorisë së Fierit, ku priste oficerin e policisë gjyqësore për të depozituar një kallëzim penal, avokati i Erion Veliaj-t, Plarent Ndreca ka deklaruar për mediat se administrata e burgut nuk e ka lejuar të takojë klientin e tij. Ndreca tha se ky veprim është justifikuar me mungesën e personelit dhe me një rregullore që ndalon hyrjen jashtë orarit zyrtar.
“Më është ndaluar të takoj klientin tim me pretekstin se kishte përfunduar orari zyrtar. Kjo është shkelje sepse sipas ligjit avokati e takon klientin në çdo kohë. Jam këtu dhe po pres oficerin e Policisë Gjyqësore për të depozituar kallëzim ndaj të gjithë zinxhirit drejtues të burgut te Fierit”, sqaroi Ndreca.
Sipas avokatit, këto argumente bien ndesh me legjislacionin në fuqi, i cili, sipas interpretimit të tij, garanton të drejtën e avokatit për të takuar klientin në çdo kohë.
Avokati pretendon se edhe pse një ditë më parë ishte lejuar të takohej me Veliajn, këtë të drejtë nuk e ka pasur ditën e sotme. Ai thotë se rreth orës 17:30 ka qëndruar për 20 deri në 30 minuta në hyrje të institucionit, duke kërkuar zbatimin e ligjit, por nuk është lejuar të hyjë.
Ndreca iu referua nenit 51 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, duke pretenduar se e drejta e komunikimit mes avokatit dhe klientit nuk mund të kufizohet për shkak të orarit zyrtar. Veliaj i transferua tre dite më pare nga burgu i durrësit, një veprim që ai e kundërshtoi teksa qeveria e klasifikoi urdhërin e transferimit të tij si sekret shtetëror.