Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet shtet me demokraci jo funksionale, me marrëdhënie të tensionuara ndëretnike, me probleme të mbartura me fqinjët, me ekonomi të pazhvilluar, gjyqësor të politizuar, me qeveritarë e politikanë të korruptuar, etj.
Ndryshe e thënë: Asgjë nuk po funksionon. Kështu që shteti kinse multietnik po mbetet peng i politikave të gabuara, ku pseudo-nacionalizmi maqedonas mbizotëron.
Tash 30 e ca vjet shqiptarët, etnia e dytë më e madhe, presin me durim që të ndihen zot në shtëpinë e tyre.
Çfarë nuk kanë përjetuar shqiptarët!
Mos t’i hyjmë historikut, se nuk mjaftojnë shumë libra për të përshkruar padrejtësitë, nëpërkëmbjen, persekutimet, burgosjet, vrasjet e deri te spastrimet etnike (retrospektivë, që nga periudha e Rankoviqit e deri te ngjarjet e Gostivarit).
Ndaj shqiptarëve janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen eksperimente.
U bë konflikti i 2001, shumë nënë shqiptare u veshën me të zeza, shumë djem dhanë jetën për idealet e larta kombëtare, shumë shpresë pati.
Fatkeqësisht, pasoi zhgënjimi. Shqiptarët besonin e shpresonin se do të merrnin hisen e tyre në shtetin multietnik.
Do të gëzonin të drejtat legjitime të sanksionuara edhe në të drejtën ndërkombëtare. Por, nuk ndodhi asgjë. A trajtohen ish-ushtarët e UÇK-së njëjtë si branitelët?!
Marrin pension invalidët e konfliktit?! A e kanë fituar statusin social, a janë punësuar?!
A është bërë në mënyrë proporcionale ndarja e buxhetit?! A është investuar në zonat shqiptare, në infrastrukturë, shkolla, çerdhe, kopshte, në ordinancat mjekësore?! A janë ndihmuar bujqit e blegtorët?!
A është zyrtare gjuha shqipe?! A është ndryshuar enciklopedia? A janë ndryshuar tekstet shkollore?
A janë bërë shqiptarët shtetformues me kushtetutë?!
A është investuar në trashëgiminë kulturore?! A trajtohen njëlloj universitetet shqiptare me ato maqedonase?
A është ndryshuar himni shtetëror dhe simboli?! A ka mbajtur dikush përgjegjësi për burgosjet e montuara dhe për vrasjet e pazbardhura të komandantëve kryesorë të ish-UÇK-së?!
A është ndryshuar kushtetuta që është mbartëse e krizave të mëdha?!
Për të gjitha përgjigja është: JO.
A kemi më shumë apo më pak fshatra dhe qytete të banuara? SHUMË MË PAK!
A kemi më shumë nxënës dhe studentë në shkolla e universitete? SHUMË, AMA SHUMË MË PAK, PËR SHKAK SE TË RINJTË E TË REJAT NUK KANË PERSPEKTIVË, NDIHEN TË PASIGURTË, NDIHEN TË PAPERKRAHUAR, NDIHEN TË DISKRIMINUAR, NDIHEN PA SHPRESE, NDAJ IKJET JANË MASIVE.
E tash, vijmë te përgjegjësit e situatës së pa shpresë për shqiptarët dhe për vetë shtetin.
Nuk ka më kohë për të pritur, durimi po soset.
Maqedonasit ta ndajnë mendjen, duan shtet të përbashkët me shqiptarët, apo duan të fundosen në kënetën e pseudonacionalizmit të tyre.
Dy partitë kryesore, ajo në qeveri dhe tjetra në opozitë (VMRO-DPMNE dhe LSDM), të kenë kujdes kësaj radhe.
Nuk mund të bëjnë pafundësisht plane të përbashkëta për ta mbajtur me gajret shtetin me pseudonacionalizëm.
Ata, ta gjejnë kurajon të dalin sheshit e të pranojnë se ekzistenca e shtetit varet te raportet me shqiptarët.
Këtë ta bëjnë duke guxuar për të ndryshuar mendësinë, të kenë vullnetin për të pranuar se bartës të atij shteti, sa janë maqedonasit, janë edhe shqiptarët.
Mickovski e ai i LSDM-së të mos bëjnë plane ndjallzore natën, por të dalin me një deklaratë të përbashkët e të thonë: klasa politike maqedonase është e gatshme ta ndryshojë kushtetutën dhe populli shqiptar do të jetë shtetformues.
Nëse nuk e bëjnë këtë gjë, shteti do të jetë jo funksional.
Sa i përket klasës politike shqiptare, ata nuk kanë të drejtë morale të flasin për asgjë. Më mirë të heshtin sesa të flasin.
Një gjë e dinë shqiptarët, kur klasa politike flet, vetëm bën propagandë, vetëm mashtron opinionin, vetëm mendon për tarafin e tyre politik e farefisnor, vetëm mendojnë si të qëndrojnë si argatë e patericë në një qeveri ku maqedonasit komandojnë.
Kështu ka qenë deri më tash e kështu po vazhdon.
As BDI-ja dje, as VLEN SOT nuk guxojnë ta gjuajnë “grushtin” në tavolinat e bisedimeve, të negociatave, apo të qeverisë.
Çfarë ka ndodhur deri më tash, rezulton se klasa politike shqiptare ka qenë dhe vazhdon të mbetet nën hijen e maqedonasve, ku shërbejnë si Patericë për ta mbajtur Maqedoninë shtet unitar me shqiptarët si pakicë në Kushtetutë.
Marrë për besë!