Arrestohet në Greqi pas 29 vitesh autori i vrasjes së një fëmije në vitin 1997

Pas 29 vitesh në arrati, Kostandin Nishku është arrestuar në Greqi për llogari të drejtësisë shqiptare. Ai ishte shpallur në kërkim që prej vitit 1997 dhe është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e një fëmije 10-vjeçar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 19 mars 1997. Sipas të dhënave hetimore, Nishku, i njohur edhe me identitetin Baki Duzha, së bashku me shtetasin Roland Kotorri, janë paraqitur të armatosur në banesën e shtetasit Kujtim Bregu. Objektivi i tyre ishte Veli Bregu, vëllai i Kujtimit, i cili në vitin 1993 kishte vrarë vëllain e Nishkut dhe ishte arratisur nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997.

Në momentin e ngjarjes, Veli Bregu nuk ndodhej në banesë. Brenda shtëpisë ishin Kujtimi, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, një djalë 10 vjeç dhe një vajzë 15 vjeçe. Pasi nuk mori informacion mbi vendndodhjen e Veli Bregut, Nishku urdhëroi bashkëpunëtorin e tij të vriste djalin e mitur. Pas refuzimit të këtij të fundit, Nishku e qëlloi vetë fëmijën me armë zjarri në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas krimit, Nishku u largua drejt Greqisë, ku jetoi për vite me radhë me identitet të rremë, Hariz Vjeri. Identifikimi i tij u bë përmes krahasimit fotografik mes imazheve të vitit 1997 dhe pasaportës së siguruar në mënyrë të paligjshme në vitin 2013.

Pas arrestimit, pritet që Kostandin Nishku të ekstradohet në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033