Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies në tregun e fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë. Në pranga ka rënë shtetasi Klodian Çina, 48 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar gjithashtu edhe për vjedhje biçikletash.
Sipas hetimeve, 48-vjeçari dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 19 maj 2026 i ka vënë zjarrin tregut të fruta-perimeve dhe më pas është larguar nga vendngjarja duke u fshehur në Durrës.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se ai dyshohet të jetë autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në qytetin e Lushnjës, të cilën e kishte përdorur për lëvizjet e tij dy ditë para ngjarjes. Biçikleta është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se pranë Klodian Çinës ka qenë edhe një person tjetër, i cili deri tani nuk rezulton i përfshirë në zjarrvënie.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me rastin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”.