Një 41-vjeçar është arrestuar në Fier, pasi u kap në flagrancë duke poseduar lëndë narkotike kokainë, të cilën dyshohet se e kishte me qëllim shitjen.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi E. R., banues në Fier, i dënuar më parë dy herë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Recidivisti”, nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
41-vjeçari u ndalua teksa qarkullonte me automjet në qytetin e Fierit. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik, policia gjeti një sasi kokaine, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza të gatshme për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike, automjeti dhe një telefon celular.