Policia e qarkut Vlorë ndërmori një sërë operacionesh në qytete të ndryshme, duke arrestuar dhe proceduar penalisht disa persona për vepra të ndryshme penale, përfshirë trafik droge, dhunë në familje dhe thyerje të masës së arrestit në shtëpi.
Në orët e fundit, Policia e Vlorës ka kryer kontrolle dhe aksione në Sarandë, Himarë, Konispol dhe qytetin e Vlorës, ku janë ndaluar dhe proceduar disa persona për shkelje të ndryshme të ligjit. Veprat për të cilat akuzohen përfshijnë trafikim të lëndëve narkotike, dhunë ndaj bashkëshortes, zaptim prone dhe sjellje të pahijshme në publik.
Në Sarandë, është arrestuar shtetasi 20-vjeçar Arkel Jani pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar si cannabis sativa. Ndërsa në fshatin Gjashtë, po në Sarandë, u ndalua Oligert Golikaj, 35 vjeç, për dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Edhe një grua, M. L., 45 vjeçe, po procedohet për dhunë ndaj të njëjtës shtetase dhe nënës së saj.
Në Vlorë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan shtetasin D. Z., 38 vjeç, jashtë banesës së tij, duke shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që i ishte caktuar për drejtim të parregullt mjeti. Ndërkohë, D. G., 35 vjeç, ka kanosur me armë lodër një shtetas tjetër në një lokal, dhe është përfshirë në konflikt fizik me dy shtetas të tjerë, L. M. dhe Xh. I., të cilët gjithashtu po procedohen penalisht.
Në Himarë, shtetasi P. D., 67 vjeç, u procedua pasi u shfaq në një video duke larguar pushuesit nga plazhi i Borshit, me pretendimin se hapësira i përkiste atij, dhe duke kryer veprime të turpshme. Po ashtu, një 75-vjeçar me inicialet B. P. u kallëzua për zaptim prone në të njëjtin fshat.
Në Konispol, një konflikt fizik mes dy shtetasve me të njëjtin emër, A. A., përfundoi me procedim penal për njërin prej tyre, 37 vjeç, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tjetrit gjatë një përplasjeje.
Të gjitha materialet hetimore janë referuar në prokuroritë përkatëse, ku do të vijojnë veprimet e mëtejshme ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe vendimmarrjen përfundimtare për personat e përfshirë.