Apeli i GJKKO rrëzon ankimin e Ilir Metës për lirimin nga burgu

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur mospranimin e ankimit të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, ankimi i paraqitur nga i pandehuri I.M., përmes mbrojtëses së tij ligjore, është shpallur i papranueshëm. Vendimi lidhet me disponimin e datës 5 janar 2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Kërkesa e Ilir Metës për lirimin nga qelia është rrëzuar më herët edhe nga të tria shkallët e gjyqësorit, të cilat kanë vendosur të lënë në fuqi masën e arrestit në burg.

Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e marra ndaj tij janë antikushtetuese dhe bien ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë.

Sipas vendimit të Apelit, palët kanë të drejtë të ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033