Për shkak të kushteve të përkeqësuara hidrometeorologjike, Autoriteti Portual i Vlorës ka njoftuar anulimin e udhëtimeve me tragetin e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë deri të hënën, më 24 mars, në orën 22:00. Ky vendim ka për qëllim sigurimin e pasagjerëve dhe mjeteve nga rreziku që vjen si pasojë e motit të keq që pritet të përfshijë zonën.
Po ashtu, nga e diela, më 23 mars, deri më 25 mars, është ndaluar gjithashtu lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit. Kjo masë ka për qëllim shmangien e rreziqeve që mund të shkaktojë era e fortë dhe dallgët e larta që pritet të mbizotërojnë në detin Adriatik.
Sipas njoftimit të Autoritetit Portual, gjatë periudhës 23-25 mars 2025, parashikohet që erërat të arrijnë forcën 8-9 ballë, me shpejtësi deri në 40 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve mund të shkojë deri në 4.5 metra. Këto kushte të rrezikshme kërkojnë masa të menjëhershme sigurie dhe parandalimi për të gjithë aktorët që ushtrojnë veprimtari detarë.
Në këtë kuadër, autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masa për sigurimin e mjeteve të tyre në port dhe përgatitjen e ekuipazhit për çdo situatë të mundshme.
Anulimi i udhëtimeve me tragetet ndërkombëtare do të vazhdojë deri në përmirësimin e kushteve meteorologjike pas orës 22:00 të datës 24 mars. Sipas prognozave, moti pritet të përmirësohet më 25 mars, pas orës 08:00, kur situata hidrometeorologjike do të jetë më e qetë për mjetet e vogla.
Autoriteti Portual apelon për bashkëpunim nga të gjithë subjekteve që operojnë në fushën e detarisë, për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe mjeteve, duke ruajtur përkushtimin për masa të rrepta sigurie deri në përmirësimin e plotë të kushteve atmosferike.