Amnistia penale në IEVP Fier, lirohen 104 të dënuar dhe 210 të tjerë përfitojnë ulje dënimi


Ka nisur zbatimi i ligjit nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie” edhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier. Pas shqyrtimit të dosjeve të të gjithë të dënuarve me vendim penal të formës së prerë, komisioni i ngritur për zbatimin e ligjit vendosi që 104 të dënuar të lirohen nga vuajtja e mëtejshme e dënimit, ndërsa rreth 210 të dënuar të përfitojnë ulje dënimi me një vit, e cila do t’u zbritet nga periudha e mbetur.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së IEVP Fier, pjesa më e madhe e të liruarve janë dënuar për vepra penale me marzh të ulët dhe mesatar dënimi. Nga amnistia përfitojnë gjithashtu edhe dy shtetas të huaj: pakistanezi Asat Ali, i dënuar për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe rumuni Florian Balanesku, i dënuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Mes përfituesve janë edhe të dënuar me masa të larta dënimi, të cilëve në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit u kishte mbetur më pak se një vit për të vuajtur. Bëhet fjalë për Luan Fushën, i dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”, i arrestuar në korrik të vitit 2008, si dhe Erild Gegën, i dënuar me 14 vite burg për “Vjedhje me dhunë”, i arrestuar në vitin 2014.

Nga amnistia përfitojnë gjithashtu edhe 7 të dënuar mbi moshën 60 vjeç, të cilëve u kishte mbetur më pak se një vit nga dënimi për të vuajtur.

Zbatimi i amnistisë nisi më 15 korrik, në përputhje me udhëzimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033