Allkaj, qendra e vreshtarisë në Lushnjë. Fermerët kërkojnë mbrojtje për prodhimin vendas.
Njësia Administrative Allkaj, në Bashkinë e Lushnjës, është kthyer prej vitesh në një nga zonat më të rëndësishme të kultivimit të rrushit në vend. Pas viteve ’90, dhjetëra fermerë investuan në vreshtari, duke e bërë këtë kulturë burimin kryesor të të ardhurave për shumë familje.
Sot, në këtë zonë kultivohen rreth 220 hektarë vreshta në fushë të hapur dhe rreth 20 hektarë në sera, me një sipërfaqe totale prej afro 240 hektarësh. Varietetet janë të shumta dhe prodhimi shërben për tregun vendas, eksportin dhe industrinë e përpunimit.
Falë kushteve klimatike, Allkaji njihet edhe për prodhimin e rrushit të hershëm, ndërsa një pjesë e varieteteve vazhdon të dalë në treg deri në fund të muajit shtator.
Megjithatë, fermerët shprehen jashtë kamere të shqetësuar për tregtimin e prodhimit. Ata kërkojnë nga institucionet të mbrojnë prodhimin vendas gjatë sezonit të vjeljes, pasi, sipas tyre, hyrja e rrushit të importuar në të njëjtën periudhë ul çmimet dhe vështirëson shitjen e prodhimit vendas.
Kultivuesit thonë se vreshtaria kërkon investime të konsiderueshme gjatë gjithë vitit, nga trajtimet kundër sëmundjeve deri te vjelja. Për këtë arsye, ata kërkojnë politika mbështetëse që puna dhe investimi i tyre të mos përfundojnë me humbje.