Alarm në Strumin e Roskovecit në emisionin Zëri Juaj nga gazetari Adriatik Golemi: Kanale të papastruara dhe tokat nën ujë

Një situatë alarmante po trondit banorët e Strumit në Roskovec, ku mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese po shkakton përmbytje të vazhdueshme sa herë bie shi.

Një qytetar i zonës ka denoncuar publikisht gjendjen e rënduar, duke theksuar se kjo problematikë është kthyer në një pengesë të madhe për jetën dhe bujqësinë e fshatit.

“Kanale kulluese janë të mbushura dhe të papastruara. Sa herë bie shi, tokat përmbyten dhe nuk kemi çfarë të bëjmë,” shprehet banori i indinjuar. Përgjegjësia, sipas tij, bie mbi autoritetet lokale, të cilat, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete.

Banorët kanë ngritur shqetësimet e tyre pranë bashkisë, por janë përballur me indiferencë. “Kemi vajtur disa herë në bashki dhe kemi kërkuar zgjidhje, por kryetarja na tha se ‘vetëm dy prej jush ankoheni,’ ndërkohë që përmbytet i gjithë fshati,” deklaroi qytetari. Kjo mungesë reagimi ka shtuar zhgënjimin dhe pasigurinë mes banorëve.

Problemi me kanalet kulluese ka pasoja të rënda për bujqësinë lokale, e cila është burimi kryesor i jetesës për shumicën e familjeve në Strumin. Përmbytjet e shpeshta jo vetëm që dëmtojnë të mbjellat, por gjithashtu pengojnë rigjenerimin e tokës, duke kërcënuar ekonominë e zonës dhe të ardhmen e banorëve.

Banorët e Strumit bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, pastrimi i kanaleve është një veprim i domosdoshëm që duhet të ndërmerret pa vonesë për të shmangur përmbytje të mëtejshme dhe dëme të tjera.

“Jemi të lodhur nga premtimet bosh dhe mungesa e veprimeve konkrete,-” përfundon qytetari i revoltuar.

Ndërkohë, ekspertët e mjedisit dhe infrastruktura vënë në dukje rëndësinë e mirëmbajtjes së vazhdueshme të kanaleve kulluese në zonat rurale, si një hap jetik për parandalimin e përmbytjeve dhe mbrojtjen e bujqësisë. Banorët presin që institucionet të reagojnë me përgjegjësi dhe të tregojnë kujdes për nevojat e komunitetit.

Strumi i Roskovecit, si shumë zona të tjera rurale në Shqipëri, përballet me sfida të përhershme për shkak të mungesës së investimeve dhe vëmendjes institucionale. Situata aktuale është një kujtesë e qartë se nevojiten politika dhe ndërhyrje të menjëhershme për të zgjidhur problemet që po rëndojnë mbi komunitetet rurale.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera