Situata politike në Gjeorgji vazhdon të përshkallëzohet me tensione të larta, teksa protestat masive kundër qeverisë kanë hyrë në javën e dytë.
Të mërkurën, policia gjeorgjiane ndërmori një veprim të ashpër duke bastisur zyrat e një partie opozitare dhe duke arrestuar udhëheqësin e saj, në përpjekje për të frenuar valën e pakënaqësisë që ka përfshirë vendin.
Demonstratat shpërthyen pas vendimit të partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Forcat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë ndërtuar barrikada dhe kanë hedhur mjete piroteknike në rrugët e kryeqytetit Tbilisi. Deri tani, mbi 300 protestues janë arrestuar, dhe më shumë se 100 persona janë trajtuar për lëndime.
Sipas raporteve mediatike, policia ka bastisur edhe zyra të tjera të grupeve opozitare dhe organizatave joqeveritare, duke e zgjeruar fushatën ndaj atyre që kundërshtojnë qeverinë. Këto veprime janë kritikuar gjerësisht si përpjekje për të shtypur zërat kundërshtues.
Kriza politike ka rrënjët në zgjedhjet e diskutueshme të tetorit, ku partia “Ëndrra Gjeorgjiane” siguroi shumicën në parlament. Opozita, së bashku me presidenten pro-perëndimore Salome Zourabichvili, ka akuzuar partinë në pushtet për manipulim të votimeve, duke pretenduar se ka pasur ndikim nga Rusia. Opozita ka bojkotuar parlamentin dhe kërkon zgjedhje të reja.
Presidentja Zourabichvili ka refuzuar të njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe ka apeluar ato në Gjykatën Kushtetuese, e cila i hodhi poshtë pretendimet e saj. Ajo ka deklaruar se do të qëndrojë në detyrë pas përfundimit të mandatit të saj për të mbështetur përpjekjet e opozitës për një proces të ri zgjedhor.
Përplasjet mes qeverisë dhe Bashkimit Evropian kanë thelluar krizën. BE-ja i kishte dhënë Gjeorgjisë statusin e kandidatit në dhjetor të vitit 2023, me kushtin që vendi të përmbushte disa rekomandime demokratike. Mirëpo, pas miratimit të një ligji që kufizon liritë e organizatave të financuara nga jashtë, BE-ja pezulloi procesin e negociatave dhe zvogëloi mbështetjen financiare në qershor.
Ligji i miratuar nga qeveria, i krahasuar me legjislacionin rus që përdoret për të shtypur opozitën, ka shkaktuar kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit. Parlamenti Evropian e ka dënuar këtë zhvillim dhe ka cilësuar zgjedhjet e tetorit si të padrejta dhe jodemokratike.
Kryeministri Irakli Kobakhidze deklaroi se qeveria është e hapur për të rifilluar negociatat me BE-në, por vetëm nëse blloku ndalon “shantazhin” ndaj Gjeorgjisë. Megjithatë, retorika e tij nuk ka qetësuar protestuesit, të cilët vazhdojnë të kërkojnë largimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar për “shqetësime serioze” mbi përkeqësimin e standardeve demokratike në vend. Kriza në Gjeorgji mbetet një test i rëndësishëm për të ardhmen demokratike të saj dhe për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.