Aksident tragjik në “Rrugën e Kombit”, humb jetën 24-vjeçari Eugen Bardhoku, trafik i rënduar në zonë

Një ngjarje e rëndë rrugore ka ndodhur mbrëmjen e sotme në segmentin Milot–Kalimash, pranë Rrëshenit, në “Rrugën e Kombit”. Si pasojë e përplasjes së fortë mes disa mjeteve, ka humbur jetën një i ri 24-vjeçar.

Sipas burimeve zyrtare, automjeti me targa AA473FL është përplasur fillimisht me një kamion me targa 01314CB, që drejtohej nga shtetasi Nexhmedin Isufi, dhe më pas me një kamion-trailer me targa 04418TA, në drejtimin e Vllaznim Gashit.

Nga përplasja fatale ka ndërruar jetë Eugen Bardhoku, 24 vjeç, banues në Rrubik të Mirditës, i cili ndodhej në makinën tip “Volkswagen” me targa AA473FL.

Drejtuesi i kamion-trailerit, Vllaznim Gashi, është shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.

Pas ngjarjes, “Rruga e Kombit” është bllokuar plotësisht, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe devijimin e qarkullimit drejt aksit të vjetër Rubik–Rrëshen. Qindra automjete janë bllokuar në radhë të gjata, ndërsa drejtuesit e mjeteve kanë raportuar mungesë koordinimi në menaxhimin e trafikut.

Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë Rrugore dhe shërbimet e emergjencës, të cilat po punojnë për të normalizuar situatën dhe për të rivendosur qarkullimin. Dëshmitarë në terren raportojnë gjithashtu se gazetarëve u është ndaluar hyrja në perimetrin e ngjarjes.

Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë.

Ndaj Postimin: