VIDEO/ Aksident në Suk 1, Roskovec, merr jetën e një personi dhe dëmtim të bagëtive

Një aksident tragjik ka ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor rural Marinzë – Suk 1, në Roskovec.

Sipas informacioneve paraprake, dy automjete tip “Benz” janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar dëme të mëdha. Si pasojë e goditjes së fortë, mbi 30 krerë dele kanë mbetur të dëmtuara, ndërsa çobani i tyre është plagosur rëndë. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Përveç çobanit, edhe drejtuesit e automjeteve kanë pësuar dëmtime. Të dy kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë ndërprerja e rrugës nga disa bagëti të imëta, që kanë dalë në mes të rrugës papritur. Ky fakt ka shkaktuar humbjen e kontrollit të makinave dhe ka çuar në përplasjen e tyre.

Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia dhe grupi hetimor, i cili ka nisur veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht shkaqet e këtij aksidenti tragjik.

Për momentin, aksidenti ka krijuar kaos në lëvizjen e trafikut, ndërsa autoritetet po punojnë për pastrimin e vendit dhe rikthimin e normalitetit.

Grupi hetimor po kryen hetime të thelluara dhe po analizojnë gjithashtu gjendjen e dy automjeteve të përfshira, për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit të dhënë mbi aksidentin e mbrëmshëm, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit Q. M., 24 vjeç dhe L. M., 24 vjeç, të dy banues në Roskovec, pasi me automjetet që drejtonin, kanë përplasur 31 bagëti të imëta që lëviznin në fshatin Suk 1, Roskovec, si dhe 2 çobanët që ruanin bagëtitë, shtetasit F. G., 79 vjeç dhe K. H., 32 vjeç. Si pasojë, ka humbur jetën 79-vjeçari, si dhe është dëmtuar shtetasi K. H., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 30 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ditën e djeshme, në lagjen “8 Shkurti”, automjeti që drejtonte ky shtetas, në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F. M., 49 vjeç. Si pasojë, është dëmtuar 49-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Ndaj Postimin: