Aksident i rëndë në aksin Fushë Krujë-Milot, humb jetën një grua dhe plagosen dy të tjerë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në superstradën Fushë Krujë-Milot, në afërsi të Thumanës, duke lënë pas një viktimë dhe dy persona të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, një tip “Mercedes”, me të cilin udhëtonte shtetasi Radvan Maja nga Borizana, dhe një “Volkswagen Passat”, që drejtohej nga Ndrec Ruci nga Mirdita.

Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i “Passat”-it, Ndrec Ruci, ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa pasagjerja që udhëtonte me të, shtetasja Tereze Laska, ka humbur jetën në vendngjarje.

Nga aksidenti është plagosur gjithashtu edhe një grua, e cila ndodhej në ambientet e biznesit të saj pranë rrugës. Ajo është goditur nga një pjesë e shkëputur e mjetit “Passat” si pasojë e përplasjes.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë ndërprerja e gabuar e rrugës nga drejtuesi i “Passat”-it, si dhe shpejtësia e lartë e mjetit “Mercedes”.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa të plagosurit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033