Ajola Xoxa mbërrin në Tiranë, shoqërohet nga BKH pas vendimit të GJKKO

Ajola Xoxa ka mbërritur sot në Tiranë nga Italia, për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas burimeve, Xoxa ka zbritur në aeroportin e Rinasit nën vëzhgimin e autoriteteve, ndërsa menjëherë pas mbërritjes është shoqëruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Vendimi për masën e sigurisë ndaj saj u mor pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila e akuzon për disa vepra penale të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Xoxa ndodhej në Itali në momentin e dhënies së masës së sigurisë, por vendosi të kthehej në Shqipëri për të zbatuar vendimin gjyqësor. Autoritetet shqiptare kanë ndjekur nga afër situatën dhe kanë monitoruar mbërritjen e saj në vend.

Ndërkohë, pritet që hetimet të vijojnë për të zbardhur të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të. Sipas burimeve nga organet hetimore, procesi ndaj saj është pjesë e një dosjeje më të gjerë që lidhet me korrupsionin në nivele të larta shtetërore.

Mbërritja e Xoxës në Tiranë dhe shoqërimi i saj nga BKH shënon një tjetër zhvillim në këtë çështje, e cila ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik.

Ndaj Postimin: