Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe disa prej figurave kryesore të qeverisë, duke folur për një sistem të organizuar korrupsioni që, sipas tij, ka zhdukur rreth 14 miliardë euro nga buxheti i shtetit.
Sipas Ahmetajt, pavarësisht përmasave të këtyre pretendimeve, Prokuroria e Posaçme nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të hetuar vjedhjet e pretenduara.
Ai deklaroi se kryeministri përdor katër persona si “depozita parash” për interesat e tij kriminalo-financiare: Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Ogerta Manastirliun dhe Mirlinda Karçanajn e AKSHI-t.
“Edi Rama, kreu i organizatës, ka katër depozita të interesave të veta kriminalo-financiare: Bashkia e Tiranës, Ministria e Infrastrukturës, AKSHI dhe, vitet e fundit, shëndetësia. Për shëndetësinë do flasim herë tjetër. Edhe për tokat. Sot në emailin tim vijnë qindra denoncime”, u shpreh Ahmetaj.
Sipas tij, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, është koordinatori i korrupsionit në qeveri.
Porti i Durrësit
Ahmetaj e cilësoi projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të rënda ekonomike të viteve të fundit. Sipas tij, shteti shqiptar ka hequr dorë nga një aset strategjik kombëtar, ndërsa vlera reale e territorit të portit është shumë herë më e lartë se ajo e reflektuar në dokumentet zyrtare.
Ai paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të humbasë kontrollin mbi portin dhe të përballet me arbitrazh ndërkombëtar. Sipas tij, kompania që zhvillon projektin ka kërkuar lirimin e “Portës 4”, një lëvizje që do të paralizonte funksionimin e portit ekzistues. Refuzimi i kësaj kërkese, tha Ahmetaj, mund ta çojë vendin në gjyq ndërkombëtar me pasoja të rënda financiare dhe strategjike.
Sipas Ahmetajt, dosja e Portit të Durrësit, konkretisht ajo e Porto Romanos, është problematike në aspektin procedural, financiar dhe juridik. Projekti zbatohet me kontratë FIDIC, pa tavan real kostosh, ndërsa mangësitë serioze në projekt janë dokumentuar zyrtarisht nga drejtues dhe specialistë të portit. Projektuesi i huaj, sipas tij, është njëkohësisht edhe menaxhues i projektit, duke krijuar konflikt interesi dhe duke marrë kompetenca që i takojnë shtetit. Porti është planifikuar në dy faza, me funksionalitet të plotë të shtyrë deri në vitin 2060, ndërkohë që kapaciteti i ri do të jetë më i ulët se ai aktual.
Projekti “Smart City”
Një tjetër akuzë e rëndë lidhet me projektin “Smart City”, për të cilin Ahmetaj tha se ka pësuar rritje të pajustifikuar të kostove dhe është realizuar pa procedura të hapura konkurruese.
Sipas tij, çmimet e pajisjeve janë shumë herë mbi vlerën reale të tregut. Një kamerë trupi për efektivët e policisë, e lidhur me sistemin qendror, kushton mbi 15 mijë dollarë, ndërsa një kamerë për monitorimin e trafikut arrin vlerën deri në 52 mijë euro. Këto kosto, sipas Ahmetajt, janë gjashtë deri në shtatë herë më të larta se çmimet reale.
Ai ngriti shqetësime serioze për sigurinë kombëtare, duke deklaruar se kontrata i jepet një kompanie nga një vend jashtë NATO-s, e cila përfiton akses në infrastrukturë kritike dhe në të dhëna sensitive të qytetarëve, përfshirë të dhëna biometrike, targa dhe lëvizje.
Sipas Ahmetajt, projekti është dhënë pa tender, me kredi që është rritur nga 60 në 140 milionë dollarë, ndërsa Shqipëria në dhjetë vite ka importuar sisteme sigurie me vlerë rreth 50 milionë euro, por tani po paguan shumëfish për një numër të kufizuar pajisjesh.
Tuneli i Llogarasë
Ahmetaj u ndal edhe te Tuneli i Llogarasë, duke përmendur kompaninë supervizore që, sipas tij, ka paguar akomodime dhe shpenzime për zyrtarë të lartë të qeverisë. Kjo situatë, tha ai, përbën konflikt të pastër interesi.
Sipas deklarimeve të tij, kompania supervizore ka mbuluar shpenzime hoteli për kryeministrin, zv.kryeministren dhe ministren e Ekonomisë.
Dosja KAYO dhe Ron Yefet
Në intervistë u përmend edhe dosja KAYO. Ahmetaj deklaroi se kompania shtetërore e industrisë së mbrojtjes është përdorur si një mjet financiar për transferimin e pasurisë publike drejt interesave private, pa procedura të qarta privatizimi.
Sipas tij, përmendja e emrit Ron Yefet lidhet me përfshirjen e interesave të huaja në një sektor strategjik si industria e mbrojtjes. Ai theksoi se KAYO nuk është projekt industrial dhe nuk synon prodhim real, por funksionon si skemë financiare.
“Durana”
Ahmetaj foli edhe për skemën e quajtur “Durana”, e cila, sipas tij, paraqitet si park teknologjik, por në realitet është një park virtual, pa kufij gjeografikë, pa porta dhe pa funksionim doganor.
Sipas tij, përmes kësaj skeme, rreth 46 kompani përfitojnë lehtësira fiskale artificiale, duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe duke krijuar pabarazi të thellë në treg. Ai deklaroi se kjo skemë ka dëmtuar financat publike dhe ka favorizuar kompani të lidhura me pushtetin.
Thumanë–Kashar
Për aksin Thumanë–Kashar, Ahmetaj deklaroi se kontrata është ndryshuar në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me projektin fillestar dhe me vendime gjyqësore. Sipas tij, janë rritur kostot, është ulur cilësia e punimeve dhe përfitimi financiar i koncesionarit është rritur, duke e kthyer projektin në barrë afatgjatë për qytetarët.