Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar një mënyrë të re për trajtimin e banesave që ende nuk kanë dokumentacion të rregullt pronësie.
Procesi do të nisë nga Palasa, ku prej nesër ekipet e Kadastrës do të jenë në terren për një javë, me qëllim verifikimin e banesave pa dokumente. Pas përfundimit të fazës së parë, e njëjta skemë pritet të zbatohet edhe në fshatra të tjerë të vendit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka bërë të ditur se kontrollet do të kryhen për të gjitha banesat që rezultojnë pa dokumentacion, pavarësisht nëse pronarët kanë paraqitur më herët një kërkesë pranë institucionit.
Sipas saj, procesi do të zhvillohet përmes ekipeve të posaçme dhe të lëvizshme, të cilat do të shkojnë pranë banesave dhe do të ndjekin procedurat në terren.
“Duke filluar nga nesër, Kadastra do të jetë në Palasë për një javë. Ekipet do të verifikojnë banesat njëra pas tjetrës dhe më pas ky model do të shtrihet edhe në zona të tjera”, është shprehur Goxhobelli.