Nga Dr Adil MUSTAFA
Tiranë 8-06-2025
Në një nga shkrimet e mëparshme që në fillim theksova se: “ASGJË NUK FUNKSIONON…”. Ja disa nga arsyet e forta që Maqedonia jo vetëm që nuk është shtet funksional, por e keqja më e madhe se po dëshmon dita-ditës se është i dështuar.
Në këtë artikull nuk do të merrem me dertet e maqedonasve që kanë me identitetin, gjuhën, kishën, apo me fqinjë të tjerë.
Ama problemi, shqetësimi dhe çështja që kërkon alarmim të situatës është marrëdhënia mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Kemi të bëjmë me një marrëdhënie aspak funksionale, shumë e tensionuar politikisht, etnikisht e juridikisht.
Po ashtu kemi të bëjmë me mos seriozitet për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike, përkundrazi klasa politike vazhdon ta thellojë hendekun e ndarjes mbi baza etnike.
E kjo ndarje shihet në punësim, në administratë, në biznes, në kulturë, arsim, shëndetësi, në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.
Diskriminimi ndihet po ashtu edhe në urbanizëm, infrastrukturë, në ndërmarrjet publike e shtetërore, në statusin social e shoqëror.
Po ku qëndron problemi i këtij diskriminimi madhor?
Te maqedonasit, klasa e tyre politike, qeveritarët e pushtetarët, te academia e shkencave dhe institucionet e tjera nuk mund të pritet asnjë ndryshim sepse ata kanë mendësi albanofobe. Në këtë aspekt problem qëndron tek ata që thirren si përfaqësues të popullit shqiptar.
Tek ata që përgjatë kohë nuk ka treguar as dijeni, as potencial, as njohuri, as dituri, as vullnet e as kapacitet për të qenë mbartës të projektit shqiptar:
Kush duhet të jetë projekti?
Shtet multietnik funksional: SHQIPTARËT POPULL SHTETFORMUES. Pikë.
Çdo gjë tjetër është vetëm të shërbesh si qirak në trojet etnike. Kush duhet të mbajë përgjegjësi e të japë llogari?
Sigurisht klasa politike shqiptare e cila deri më tash nuk ka dëshmuar në asnjë moment se vendos VETO për të drejtat legjitime të shqiptarëve që duhet të jetë me kushtetutë e me ligj.
Kemi të bëjmë me një dështim shumëvjeçar të politikës shqiptare përballë asaj maqedonase.
Si ka mundësi që klasa politike shqiptare nuk i ka shtruar një pyetje vetes qoftë edhe për çështje krenarie: A JA VLEN TË JESH DEKOR NË QEVERI ?!
Po si mundet me qëndru në një qeveri kur pala tjetër nuk të merr në konsideratë dhe të trajton si dekor. Si mundet me qëndru në qeveri dhe si justifikim tregon gjëra ta vlerë si arritje?!
Ja të marrim disa shembuj që tregojnë gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Po të lexosh shtypin e ditës konstatojmë se shqiptarët janë më keq se periudhat e errëta të ISH Jugosllavisë.
A nuk është marre që partitë politike hala merren me çështje punësimesh e mburren e akuzojnë njëra-tjetrën 2 shqiptarë u punësuan në doganë, tre në klinika shëndetësore e katër në ndërmarrje komunale!!!
Ky është turp i madh që partitë politike garojnë me njëra-tjetrën duke përmendur sa të punësuar kemi arritur, në fakt nuk kanë arrit asgjë.
Duhet të ishte ndryshe, në çdo institucion punësimet e emërimet duhet të jetë në propocion me numrin e popullsisë, çdo dikastër duhet të jetë i përfaqësuar sipas ligjeve që funksionojnë shtetet multietnike.
Tash, duhet që shqiptarët të kishin të drejta të barabarta me maqedonasit në të gjitha fushat e jetës, diskriminimi në baza etnike duhej t’i përkiste të kaluarës. Avancimi juridik i shqiptarëve duhet të kishte përfunduar dekada më parë.
Tash, duhej që Maqedonia të ishte shembull i bashkëjetesës dhe jo një shtet që nuk qëndron dot në këmbë.
Në këtë rast nuk do të merrem me opozitës sepse ajo ka dështuar me vite kur ishte në pushtet. Aktualisht grupimi politik shqiptar që është në qeveri duhet të japë hesap para shqiptarëve.
Çfarë po bën në qeveri?! Me çfarë po merret?! A po i përfaqëson interesat e shqiptarëve? A po e përmirëson statusin social e ekonomik? A po ndërmerr reforma të thella për ndryshim rrënjësor të mendësisë njëetnike?, etj?
Deri më tash asgjë. VLEN po e paraqet veten thjesht një grupim politik që ka hallin sesi me qëndru në pushtet.
Ata po merren me vetvetën dhe as e marrin guximin për të detyruar qeveritarët maqedonas që të ndryshojë strategjinë e veprimit.
VLEN, po ashtu ndodhet në një krizë politike duke u përçarë e ndarë mes veti, vetëm për interesa grupore e interesa përfaqësimi brenda tyre.
Kriza e brendshme po dëshmon se derti i tyre nuk është çështja e pazgjidhur shqiptare, por se kush do të jetë kryetari i VLEN.
Siç po duket e po shihet VLEN ka vlerë sa për të mbush numrin e ministrave e drejtorëve të kryeministrit Mickovski.
Nuk kam asnjë personale me askënd që përfaqëson VLEN! UNË NË FILLESAT E SAJ NË QEVERI JAM MUNDUAR TA INKURAJOJ, AMA KUR SHOH SE NUK KANË BËRË ASGJË PËR REALIZIMIN E AXHENDËS KOMBËTARE, nuk mundet me hesht.
Kështu që duke parë dështimin edhe të VLEN, duke e ditur se edhe koalicioni i drejtuar nga BDI-ja kur ishin në pushtet ishin dështim i madh, duhet të arrihet një përfundim.
Klasa e sotme politike shqiptare është dështim e mjerim ka vepruar e po vepron si vasale pushtetesh. Kjo klasë nuk ka as kapacitete politike, as potencial dijesh e as forcë për t’i çuar përpara proceset politike e kombëtare.
Ata janë të falimentuar përballë maqedonasve. Nuk mund të thuash gjë tjetër kur jemi në vitin 2025 e shqiptarët etnikë të Maqedonisë përballen me diskriminim, në administratën publike e shtetërore, në ekonomi e në të gjitha drejtimet e tjera.
Nuk mundet që statistikat të jenë kaq fataliste. Qindra e mijëra shqiptarë marrin rrugën e kurbetit, a ndryshe ndodh me maqedonasit që e kanë vendin e punës dhe të ardhurat për jetesë të siguruara.
Nuk mundet që në burgjet e Maqedonisë mbipopullimi është me shqiptarë, nuk mundet që vazhdohet që hapësirat e Maqedonisë perëndimore të mbeten të pazhvilluara në ekonomi, në infrastrukturë, kulturë, arsim, bujqësi e zhvillim.
Nuk mundet që pozicionet kyçe aty ku është buxheti i shtetit të jenë vetëm të maqedonasve, nuk mundet edhe në vitin 2025 që një drejtor maqedonas të jetë “kryeministër” i një ministri shqiptar…
Për këtë arsye duhet gjendur një rrugëzgjidhje.
Shyqyr Zotit ne shqiptarët jemi popull që brenda gjirit tonë kemi të rinj e të reja të talentuara, të përgatitura në kuptimin intelektual e patriotik.
Kështu që po vjen ora që një klasë e re politike të shfaqet në horizont e të marrë në dorë drejtimin politik.
Vetëm me një klasë të re politike me një projekt të madh perëndimor e kombëtar, me vullnet e dijeni, me përkushtim e devotshmëri mund të shohim një lloj perspektive.
Nëse vazhdon kështu, shqiptarët nuk do të rrijnë të bëjnë sehir përballë diskriminimit madhor.
Maqedonasit le të zgjedhin: shtetit multietnik me kushte të barabarta me shqiptarët, apo dështimin dhe fundosjen e shtetit. Rrugë të mesme nuk ka!
Ndërsa ata të VLEN-it, t’i bëjnë një pyetje vetes së tyre: **a ja vlen të jesh dekor në një qeveri?!**