Dërgohet në gjyq autori i dyshuar për vrasjen e ish-efektivit Roland Rexhepi

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim shtetasin Donald Hoxha, i akuzuar për vrasjen me paramendim të ish-efektivit të policisë, Roland Rexhepi.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 23 korrikut 2009, kur Rexhepi, i njohur me nofkën “Doda”, u ekzekutua me breshëri automatiku, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Pas një hetimi të gjatë, prokuroria ka arritur në përfundimin se Hoxha është përfshirë në këtë krim, i cili është kryer në bashkëpunim. Ai akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të parashikuar nga nenet 78/a dhe 25 të Kodit Penal.

Procedimi penal mbi këtë çështje ka qenë një ndër më të ndërlikuarit, pasi vrasja e ish-oficerit të antidrogës së Elbasanit u pasua nga një seri krimesh të tjera në dy dekadat e fundit.

Ndërsa çështja tashmë është dërguar në gjykim, prokuroria po vijon hetimet për të identifikuar dhe ndjekur penalisht bashkëpunëtorët e tjerë të mundshëm në këtë ekzekutim të bujshëm.

Vrasja e Roland Rexhepit mbetet një nga ngjarjet më të rënda kriminale në Elbasan, duke shënuar një moment kyç në luftën mes grupeve të fuqishme kriminale në këtë qytet.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033