Pas një dekade pritjeje, Shqipëria po bëhet gati për një ndryshim të madh financiar.
Më 25 janar 2025, qeveria hodhi në diskutim publik projektligjin për themelimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një institucion që do të luajë një rol kyç në financimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Fillimisht, kjo bankë do të jetë tërësisht shtetërore, me fokus të veçantë tek bujqësia dhe sipërmarjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Shembujt rajonalë dhe europianë tregojnë se një bankë e tillë mund të jetë një sukses i garantuar. Maqedonia e Veriut ka treguar sesi një bankë zhvillimi mund të mobilizojë kapitalin e diasporës, ndërsa vende si Italia, Franca, Gjermania dhe Holanda kanë përfituar prej dekadash nga modele të ngjashme. Një rast i humbur për Shqipërinë ishte mundësia që ofroi “Rabobank” e Holandës në vitin 2005, kur synonte të investonte në bujqësinë shqiptare. Fatkeqësisht, projekti nuk u realizua.
Megjithatë, nisma për Bankën Shqiptare të Zhvillimit vjen si një mundësi për të rikuperuar kohën e humbur. Institucioni do të krijohet në bashkëpunim me bankën italiane “Cassa Depositi e Prestiti”, një gjigant financiar me mbi 285 miliardë euro kapital. Ky model ka ndihmuar transformimin e Italisë nga një ekonomi bujqësore në një fuqi industriale dhe shërbimesh, duke ofruar një precedent pozitiv për Shqipërinë.
Banka do të menaxhojë fonde nga buxheti i shtetit, grantet dhe huat e institucioneve financiare ndërkombëtare, duke i orientuar ato drejt sektorëve që deri tani kanë pasur pak ose aspak mbështetje nga bankat tregtare. Ajo do të krijojë sinergji me programin e Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion 250 milionë euro për kreditimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme. Ky program do të financohet edhe në vitin 2026 me një fond të dytë prej 250 milionë eurosh.
Kryeministri ka deklaruar se programi do të mbështetet me një garanci sovrane, duke e bërë atë një nga garancitë më të larta të dhëna ndonjëherë nga buxheti i shtetit për kreditimin e biznesit. Bizneset e vogla dhe të mesme do të mund të marrin kredi deri në 250 mijë euro me norma interesi që mund të zbresin deri në 2% falë garancisë qeveritare.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të veprojë si katalizator për integrimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në sistemin financiar, sidomos atyre që operojnë në bujqësi. Ajo do të financojë projektet strategjike, do të ofrojë garanci dhe do të investojë në letra me vlerë të borxhit publik.
Me një kapital fillestar prej 10 miliardë lekësh (100 milionë euro), kjo bankë do të bashkëpunojë edhe me Postën Shqiptare, duke i ofruar qytetarëve mundësinë që të investojnë dhe të bëhen bashkëpronarë të saj. Modele të ngjashme kanë treguar se bankat zhvillimore me pjesëmarrje publike kanë pasur sukses në nxitjen e rritjes ekonomike.
Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit mund të shënojë një kthesë pozitive për ekonominë shqiptare, duke u dhënë frymëmarrje sektorëve që kanë pasur vështirësi për të siguruar financime. Pritja dhjetëvjeçare për një bankë të tillë mund të ketë qenë e gjatë, por nëse projekti realizohet me sukses, përfitimet do të jenë të ndjeshme për ekonominë kombëtare.