Fshati Martinë, i përfshirë në njësinë administrative Levan të Fierit, po përballet me një situatë të vështirë, ku 200 fëmijë dhe shumë banorë të tjerë janë të detyruar të përdorin ujë të ndotur për më shumë se dy muaj.
Shkaku i këtij problemi, sipas banorëve, është një carje e tubacionit ekzistues që ndodhet në disa pika të rrjetit ujësjellës. Kjo ka ndodhur si pasojë e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat po punojnë në pastrimin e kanaleve vaditëse në zonë, një kërkesë e vazhdueshme e vetë banorëve.
Banorët e fshatit Martinë shprehen të shqetësuar për cilësinë e ujit që përdorin çdo ditë. Ata pohojnë se përveç që uji vjen me orar të kufizuar, ai është i turbullt dhe i përzier me llum, duke shkaktuar dëme edhe në pajisjet elektroshtëpiake. Sipas tyre, kjo ka sjellë një rritje të kostove për t’u furnizuar me ujë të pastër. “Ne po mbushim ujë në autobote dhe e paguajmë dy herë, një herë me faturat dhe një herë duke e blerë. Ky është një barrë e madhe për familjet tona,” thonë ata, duke shprehur pakënaqësinë e thellë për situatën e krijuar.
Në lidhje me këtë problem, përfaqësuesi i ujësjellësit, Astrit Bahaj, që është gjithashtu pompist i depos së ujit të fshatit Martinë, ka konfirmuar se deri tani janë bërë tre përpjekje për të riparuar defektet, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Ai shpjegoi se si një zgjidhje përfundimtare e këtij problemi është planifikuar vendosja e një magjistrali të ri kryesor, që do të mund të sigurojë furnizim më të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë për të gjithë fshatin.
[Video pas pak]
Ndërkohë, banorët e Martinës kanë theksuar se rrjeti i ujësjellësit, i ndërtuar rreth 30 vjet më parë nga një firmë hollandeze, është tashmë i amortizuar dhe i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat e sotme të fshatit. Ata kërkojnë që të bëhen investime urgjente për përmirësimin e këtij rrjeti, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Kjo situatë ka krijuar një presion të madh në jetën e përditshme të banorëve të Martinës, të cilët tashmë po përballen me një barrë të dyfishtë financiare. Ata janë të detyruar të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar ujë të pastër, ndërsa presin një zgjidhje të shpejtë dhe afatgjatë për këtë problem të rëndësishëm.