Shqipëria është duke marrë pjesë në “Fitur 2025”, një nga panairet më të mëdha ndërkombëtare të turizmit që po zhvillohet në Madrid.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga ky prezantim, duke theksuar rëndësinë e eventit për promovimin e potencialeve turistike të vendit tonë në tregun spanjoll dhe atë të Amerikës Latine.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka theksuar se panairi është një mundësi e jashtëzakonshme për të prezantuar përvojat unike që Shqipëria ofron. “Me fokus tregun spanjoll dhe atë latin, prej nga vizitorët po shtohen vit pas viti, FITUR Madrid është një platformë për të prezantuar emocione dhe përvoja të reja,” shkroi kryeministri, duke e quajtur këtë event një nga më të rëndësishmit e turizmit global.
Sipas të dhënave, viti 2024 ka shënuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve nga Amerika Latine dhe Spanja. Shifra e turistëve spanjollë ka arritur në 109 mijë, një rritje prej 26% krahasuar me vitin e kaluar, duke treguar interesin e shtuar për destinacionet shqiptare.
Shqipëria po prezantohet në këtë panair nën sloganin “Albania All Senses”, duke vënë theksin te praktikat e qëndrueshme të zhvillimit turistik. Kjo qasje synon të promovojë turizmin jo vetëm si një përvojë të bukur, por edhe si një model të përgjegjshëm që ruan trashëgiminë natyrore dhe kulturore të vendit.
Në panair marrin pjesë mbi 9000 ekspozues nga e gjithë bota, ndërsa stenda e Shqipërisë është konceptuar si një qendër interaktive. Nga data 22 deri më 26 janar, ajo do të shërbejë si hapësirë për diskutime dhe prezantime të përvojave turistike. Një nga risitë e këtij viti është përfshirja e inteligjencës artificiale dhe aplikacionit të dedikuar për udhëtime, TEA, që synon ta bëjë më të lehtë eksplorimin e destinacioneve shqiptare për vizitorët e huaj.
Një tjetër element tërheqës i prezantimit të Shqipërisë në këtë panair është gastronomia tradicionale, e cila përfaqëson një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare. Vizitorët e stendës do të kenë mundësi të shijojnë gatime të veçanta, duke përjetuar një pjesë të autenticitetit të Shqipërisë përmes kuzhinës së saj.
Pjesëmarrja në “Fitur 2025” është një hap tjetër drejt rritjes së turizmit në Shqipëri, duke e vendosur vendin tonë më afër zemrës së vizitorëve ndërkombëtarë dhe duke përforcuar imazhin e tij si një destinacion i pashoq.