Mirditë: Arrestohet 37-vjeçari që kanosi pronarin e lokalit dhe kundërshtoi policinë

Një 37-vjeçar nga Rubiku është vënë në pranga nga policia e Mirditës pasi kanosi me thikë pronarin e një lokali dhe kundërshtoi një efektiv policie gjatë ndërhyrjes për qetësimin e situatës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta, ku shtetasi L.D. ishte në gjendje të dehur. Ai ka kërcënuar me një mjet prerës pronarin e lokalit, duke krijuar një situatë të tensionuar.

Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, por 37-vjeçari jo vetëm që kundërshtoi urdhrat, por goditi me grusht një nga efektivët dhe tentoi të largohej me vrap.

Pas disa kontrolleve në zonë, policia arriti ta kapë të dyshuarin, duke i sekuestruar gjatë arrestimit dy thika, të cilat dyshohet se i përdori për kanosjen dhe që u dorëzuan si prova materiale.

Shtetasi L.D. po përballet tani me akuza për disa vepra penale, përfshirë “Kanosja”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila do të vazhdojë procedurat për zbardhjen e plotë të rastit.

Policia e Shtetit njofton se është e vendosur të ndërhyjë me vendosmëri për të parandaluar raste të tilla dhe për të garantuar sigurinë publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera