Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, së bashku me deputetët e partisë, Mesila Doda dhe Nustret Avdulla, zhvilluan një takim të rëndësishëm me anëtarët e komunitetit shqiptar në Pavia, Itali.
Gjatë takimit, Idrizi theksoi angazhimin e PDIU-së për mbështetje të diasporës dhe nevojën për një program të veçantë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, si dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe arsimin për brezat e ardhshëm.
Në fjalën e tij, Idrizi theksoi se diaspora e shqiptarëve është një forcë e rëndësishme për vendin, duke përmendur se përveç 2.4 milion shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, ka edhe 1.7 milion shqiptarë që jetojnë jashtë, duke krijuar një “Shqipëri tjetër”, që ka një ndikim të madh në ekonominë e vendit. Ai shpjegoi se diaspora kontribuon çdo vit me 1 miliard euro në ekonominë shqiptare, duke ndihmuar në zhvillimin dhe uljen e varfërisë në vendin amë.
Idrizi kritikalizoi qeverinë shqiptare për mungesën e një institucioni të posaçëm për të adresuar problemet e emigrantëve, duke kujtuar se PDIU ka propozuar krijimin e një Ministrie të Diasporës që mund të adresonte këto sfida. Ai shprehu keqardhjen që, megjithë përpjekjet për krijimin e një ministrie të tillë, ajo u shfuqizua, dhe aktualisht nuk ekziston një institucion që merret me shqetësimet e emigrantëve.
Në fjalën e tij, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Idrizi nënvizoi se për ruajtjen e këtij identiteti, është e domosdoshme mësimi i gjuhës shqipe dhe ruajtja e traditave dhe kulturës shqiptare. Ai kërkoi hapjen e shkollave shqipe dhe qëndrave kulturore kudo ku ka shqiptarë, duke theksuar se kjo është një detyrë e shtetit shqiptar.
Sipas tij, për të siguruar një lidhje më të fortë mes diasporës dhe vendit amë, duhet të lehtësohen proceset administrative për emigrantët dhe të krijohen mundësi për integrimin e diasporës në shoqërinë shqiptare. Ai gjithashtu vuri theksin në krijimin e shoqatave dhe grupeve të interesit, që do të mund të shërbejnë si pika referimi për shqiptarët jashtë vendit, dhe në mbështetje të përfshirjes së diasporës në ekonominë shqiptare.
Një tjetër kërkesë e Idrizit ishte që vota e diasporës të jetë një prioritet, pasi ajo ka një ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se është e papranueshme që pas shumë vitesh, diaspora të mos ketë të drejtën e votës dhe të mbetet jashtë procesit politik të vendit.
Takimi me komunitetin shqiptar në Pavia ishte i pari në një seri takimesh që do të zhvillohen me diasporën në shtete të tjera si Italia, Greqia, SHBA dhe Gjermani. PDIU po punon për të intensifikuar lidhjet me shqiptarët jashtë vendit dhe për të ofruar mbështetje për ruajtjen e identitetit dhe interesave të tyre.