Në zonën e Kozarës, në bashkinë Kuçovë, ka nisur prej ditësh vjelja e ullirit, një nga aktivitetet kryesore bujqësore që mban gjallë ekonominë e shumë familjeve në këtë zonë. Plantacionet e ullirit shtrihen kryesisht në zonat kodrinore, por edhe në ato fushore, duke e bërë Kozarën një prej zonave me traditë dhe prodhim të konsiderueshëm të ullirit.
Paralelisht me vjeljen, kanë nisur punën edhe fabrikat përpunuese, ku fermerët çdo ditë sjellin prodhimin e tyre për ta kthyer në vaj ulliri. Një bashkëpunim i rëndësishëm mes fermerëve dhe përpunuesve, në një sezon ku shqetësim mbetet jo vetëm prodhimi, por edhe gjetja e tregut dhe çmimi i shitjes së vajit.
Në fabrikën e përpunimit në fshatin Havaleas, Julian Demo tregon se gjatë sezonit grumbullohen rreth 60 deri në 80 tonë vaj ulliri. Një pjesë e prodhimit merret nga vetë fermerët, ndërsa pjesa tjetër grumbullohet për t’u hedhur në treg, në varësi të marrëveshjeve dhe çmimeve të dakordësuara.
Mes fermerëve që sjellin prodhimin në këtë fabrikë është edhe Shyqeri Demo, i cili zotëron rreth 3 mijë e 500 rrënjë ullinj, nga të cilat 2 mijë e 500 janë aktualisht në prodhim. Për këtë sezon ai parashikon një prodhim të konsiderueshëm, me rreth 35 tonë ullinj për përpunim dhe një sasi të pritshme prej afro 4 tonësh vaj. Krahas shërbimeve të nevojshme për ullishten, si plehërimi dhe spërkatja, një nga vështirësitë kryesore mbetet mungesa e fuqisë punëtore për vjeljen.
Në mbështetje të fermerëve në këtë sezon vjeljeje është edhe Drejtoria e Bujqësisë pranë Bashkisë Kuçovë, nën drejtimin e Nazmi Sulit. Përfaqësuesit e saj kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me fermerët, duke dhënë këshilla për vjeljen, transportin dhe ruajtjen e cilësisë së prodhimit.
Një këshillë e rëndësishme për fermerët është që ulliri të mos qëndrojë në thasë pas vjeljes, por të transportohet sa më shpejt drejt fabrikave të përpunimit, për të garantuar cilësinë e vajit.
Kështu, në Kozarë, puna në ullishte dhe në fabrikat e përpunimit vijon çdo ditë. Për fermerët, sfida tashmë nuk është vetëm sigurimi i një prodhimi të mbarë, por edhe garantimi i një tregu të qëndrueshëm dhe i një çmimi të leverdishëm për vajin e ullirit.