ARDIT BALI SFIDON MEDIAT: “VAJI I ULLIRIT NGA FERMERI SHITET 500 LEKË LITRI, JO 350!”.

Nënkryetari i sindikatës së Fermerëve të Bashkuar në Shqipëri, Ardit Bali, ngre shqetësimin për publikimet e disa mediave, portaleve apo individëve gazetarë lidhur me çmimin e vajit të ullirit, duke i cilësuar ato si informacione që po dëmtojnë interesat e fermerëve shqiptarë.

Sipas Balit, në ditët e fundit po përhapen lajme se vaji i ullirit në zonat e Lushnjës, Beratit, Fierit dhe Elbasanit po tregtohet me 350 lekë të reja për litër. Por ai e kundërshton këtë pretendim, duke theksuar se ky nuk është çmimi me të cilin fermeri shet drejtpërdrejt prodhimin e tij.

Bali shprehet se raste të tilla mund të lidhen me fabrikat apo grumbullues të veçantë, ndërsa këmbëngul se çmimi aktual i shitjes direkte nga fermeri është 500 lekë të reja për litër.

Ai u bën thirrje fermerëve të mos ndikohen nga deklaratat në media dhe të mos zhvlerësojnë mundin dhe prodhimin e tyre.

Në një sfidë publike, Bali fton çdo media, portal apo individ gazetar që pretendon se fermeri e shet vajin e ullirit me 350 lekë për litër, të verifikojë konkretisht këtë çmim në terren.

Sipas tij, informacionet e pasakta për çmimin e vajit rrezikojnë të ndikojnë negativisht në treg dhe të dëmtojnë ekonominë e fermerëve.

Ardit Bali kërkon që fermerët të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos e shesin prodhimin nën vlerën që ai e konsideron çmimin aktual prej 500 lekësh të reja për litër.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033