Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 17:30 në autostradën Rrogozhinë–Lushnjë, në afërsi të fshatit Dushk.
Në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur me njëri-tjetrin. Shkak dyshohet të jetë bërë lagështia në asfalt, e cila mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjeteve.
Automjetet e përfshira në aksident janë një Audi Q7 me targë 085 CC, një Renault me targë AB 147 ZM dhe një automjet tip Benz me targë AB 230 AR.
Si pasojë e përplasjes, raportohet për persona me dëmtime të lehta, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore dhe ambulanca për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve.
Të plagosurit lehtë nga aksidenti ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Lushnjës.
Ndërkohë, policia po punon për normalizimin e qarkullimit në këtë aks rrugor. Grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Nga përplasja janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për pasoja të rënda në njerëz.