KUÇ DHE GAJDE, RRUGËT PREJ VITESH NË GJENDJE TË RËNDUAR.

Banorët kërkojnë rikonstruksionin e rrugëve: në verë pluhur, në dimër baltë dhe gropa me ujë.

Fshatrat Kuç dhe Gajde, pjesë e Njësisë Administrative Poshnje, në Bashkinë Dimal, prej vitesh presin rikonstruksionin e rrugëve që përshkojnë zonën.

Gjendja e tyre është kthyer në shqetësim të vazhdueshëm për banorët, por edhe për drejtuesit e automjeteve. Gjatë verës, rrugët mbulohen nga pluhuri, ndërsa në dimër gropat mbushen me ujë dhe baltë, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të banorëve, investimet në infrastrukturën e kësaj zone kanë munguar. Sipas tyre, ndër vite nuk janë realizuar ndërhyrjet e nevojshme në rrugë dhe kanalizime, ndërsa problemet kanë mbetur të pazgjidhura.

Banorët shprehin gjithashtu pakënaqësi për mënyrën se si është drejtuar Bashkia Dimal gjatë këtyre viteve, nën drejtimin e kryebashkiakes Juliana Mema, duke pretenduar se vëmendja ndaj zonave rurale nuk është shoqëruar me investime konkrete në terren.

Tashmë, me riorganizimin territorial dhe bashkimin me Bashkinë Berat, banorët e Kuçit dhe Gajdes shpresojnë që situata të ndryshojë dhe premtimet të kthehen në punë konkrete.

Ata kërkojnë jo më fjalë dhe propagandë në rrjetet sociale, por rrugë të rikonstruktuara, kanalizime funksionale dhe investime që përmirësojnë jetën e përditshme.

Për këta banorë, infrastruktura nuk është luks, por një nevojë jetike që prej vitesh pret zgjidhje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033