AUTOFATURAT, 5,148 APLIKIME TË MIRATUARA PËR 13.3 MILIONË EURO.

Fermerët shqiptarë kanë kërkuar 13.3 milionë euro kompensim përmes skemës së autofaturave. Nga 5,995 aplikime të dorëzuara online, 5,148 janë miratuar nga administrata tatimore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të dhënat i referohen periudhës nga 1 korriku deri më 26 tetor 2026.

Nga totali i aplikimeve, 469 janë ende në proces shqyrtimi. Kjo do të thotë se 85.9 për qind e kërkesave janë miratuar, ndërsa 7.8 për qind presin vlerësimin e administratës.

Ndërkohë, 378 aplikime, ose 6.3 për qind e totalit, nuk përfshihen në dy kategoritë e publikuara. Nuk ka të dhëna nëse ato janë refuzuar, janë kthyer për plotësim dokumentacioni apo kanë një status tjetër.

Sa i përket vlerës financiare, 13.3 milionë euro përfaqësojnë shumën e kërkuar nga fermerët, por jo domosdoshmërisht fondet e miratuara apo të paguara. Tatimet nuk kanë publikuar vlerën konkrete të kompensimeve të miratuara dhe as shumën e disbursuar deri më 26 tetor.

Skema synon mbështetjen e fermerëve përmes dokumentimit fiskal të produkteve bujqësore të tregtuara, duke nxitur edhe formalizimin e marrëdhënieve me subjektet blerëse dhe grumbulluese.

Aplikimet kryhen online, përmes sistemit e-Filing. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje fermerëve të përdorin këtë platformë për të paraqitur kërkesat dhe për të përfituar kompensimin përkatës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033