Agjencia Shtetërore e Kadastrës mundëson tashmë aplikimin online, përmes portalit e-Albania, për pajisjen me faturën e parcelës ndërtimore, për qytetarët që kanë legalizuar banesën dhe duan të përmbyllin procedurat e pronësisë së tokës.
Aplikimi është pa pagesë, ndërsa faturat dërgohen elektronikisht, me vulë digjitale, në seksionin “Dokumentet e mia”, pa qenë e nevojshme paraqitja fizike pranë institucioneve.
Fatura shërben për vijimin e procedurës së blerjes së truallit shtetëror dhe, pas pagesës, qytetarët mund të aplikojnë për certifikatën e pronësisë së tokës.
Por kush përfiton lehtësi në pagesë?
Sipas VKM-së nr. 446, datë 26 korrik 2023, parashikohet 100% përjashtim nga pagesa për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër që plotësojnë kriteret ligjore, si dhe për kategori të caktuara institucionesh e bashkësish fetare.
–50% ulje përfitojnë familjet me anëtarë me aftësi të kufizuara sipas kategorive të përcaktuara, familjet njëprindërore me fëmijë në ngarkim, dëshmorët dhe familjarët e tyre, si dhe poseduesit që kanë mbushur moshën e pensionit.
Ndërsa 30% ulje përfitojnë poseduesit e ndërtimeve që marrin ndihmë ekonomike.
Gjithashtu, ofrohet 20% ulje nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi. Për 50% të vlerës mund të përdoren edhe bonot e privatizimit, sipas kushteve përkatëse.
Përfitimi kushtëzohet nga kriteret ligjore dhe dokumentacioni përkatës. Shërbimi online synon të thjeshtojë procedurat dhe t’u kursejë qytetarëve kohë dhe para.