BIE ÇMIMI I RRUSHIT, FERMERËT E MAZHAJT: NUK MBULOJMË SHPENZIMET.

Bie çmimi i rrushit në treg. Fermerët e fshatit Mazhaj, në njësinë administrative Allkaj, në Lushnjë, ngrenë shqetësimin se, pavarësisht prodhimit të lartë, çmimi i shitjes nuk mbulon kostot e kultivimit.

Këto pamje vijnë nga ferma e Marjol Bushit, në Mazhaj, ku në një sipërfaqe prej 1.5 hektarësh kultivohen disa varietete rrushi, mes tyre Regal, Binka dhe Red Globe. Prodhimi arrin deri në 50 kuintalë për dynym, por këtë vit, sipas fermerit, shitja është kthyer në një sfidë.

Prej 25 vitesh në kultivimin e rrushit, Marjol Bushi, së bashku me familjen, thotë se vitet e mëparshme kanë pasur më shumë kërkesë dhe çmime më të favorshme. Ndërsa këtë sezon, tregu është i ngadaltë dhe çmimi ka rënë me rreth 20 për qind krahasuar me një vit më parë.

Sipas fermerëve, një kilogram rrush shitet aktualisht me rreth 130 lekë të reja, ndërsa mungesa e kërkesës dhe konkurrenca nga rrushi i importuar, kryesisht nga Italia dhe vende të tjera, po vështirësojnë shitjen e prodhimit vendas. Një pjesë e rrushit rrezikon të mbetet e pashitur në sera.

Kostot e larta të punimeve, shpenzimet për mirëmbajtjen e vreshtave dhe pagesat për fuqinë punëtore rëndojnë më tej ekonominë e fermerëve. Shqetësim për ta mbetet edhe ndërprerja e subvencioneve nga AZHBR-ja.

Për të marrë një panoramë më të gjerë të situatës, kamera e TV Apollon iu drejtua agronomit të njësisë administrative Allkaj, Aldi Sefa.

Sipas agronomit, zona e Allkajt njihet për traditën e vreshtarisë dhe ka edhe veprimtari të përpunimit të rrushit, por çmimi i ulët në tregun e shumicës mbetet një shqetësim për prodhuesit.

Me prodhim të bollshëm, por me vështirësi në shitje, fermerët e Mazhajt presin një treg më të qëndrueshëm, ku puna dhe investimi i tyre të kenë vlerën e merituar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033