Në zemër të qytetit të Lushnjës, gjimnazi “18 Tetori”, një prej institucioneve arsimore me traditë në qytet, feston 70-vjetorin e themelimit, duke rikthyer në vëmendje një histori të pasur me dije, përkushtim dhe krenari.
Që nga viti 1956, kjo shkollë ka qenë vatër e dijes dhe formimit të brezave të tërë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në jetën arsimore dhe shoqërore të Lushnjës.
Shtatë dekada histori, kujtime dhe emocione u bënë bashkë në një aktivitet të veçantë, ku ish-mësues, ish-drejtues, nxënës dhe përfaqësues të brezave të ndryshëm u rikthyen në shkollën që ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tyre.
Ambientet e shkollës u shndërruan në një hapësirë kujtimesh, përmes fotografive të ekspozuara, që sollën pranë të pranishmëve momente nga rrugëtimi ndër vite. Çdo fotografi, çdo emër dhe çdo kujtim riktheu emocionet e ditëve të para, bankat shkollore, mësuesit e paharruar dhe vitet e bukura të gjimnazit.
Në këtë përvjetor, urimet dhe mesazhet e ish-mësuesve e ish-drejtuesve u kthyen në dëshmi të gjalla të lidhjes së fortë me shkollën, mirënjohjes për ata që kontribuuan ndër vite dhe krenarisë për brezat që ajo ka formuar.
Nga mësimi me tabelat e dikurshme bardhezi, te zhvillimi dhe modernizimi i proceseve mësimore, “18 Tetori” vijon traditën e saj, me drejtues dhe mësues të përkushtuar në edukimin e brezave të rinj.
Sot, ish-nxënësit, tashmë të angazhuar në profesione të ndryshme, dëshmojnë vlerën e kësaj shkolle dhe ndikimin e saj në rrugëtimin e tyre jetësor.
Shtatëdhjetë vite dije, përkushtim dhe kujtime që mbeten të gjalla ndër breza.
“18 Tetori” nuk është thjesht një shkollë, por një histori e përbashkët, një trashëgimi vlerash dhe një krenari për Lushnjën.