Prej pesë vitesh, banorët e lagjes Sheq i Madh në Fier përballen me mungesën e sistemit të kanalizimit të ujërave të zeza.Pavarësisht kërkesave të përsëritura pranë institucioneve përgjegjëse,sipas tyre, ende nuk është gjetur një zgjidhje për këtë problem.
Të detyruar nga kjo situatë,banorët kanë improvizuar zgjidhje brenda oborreve të banesave,duke hapur kanale për largimin e ujërave të zeza.Një mënyrë që nuk u ofron kushtet e duhura të jetesës dhe që,sipas tyre, krijon shqetësime të vazhdueshme,deri në konflikte mes familjarëve.
Ajo që e shton shqetësimin e banorëve është fakti se puseta kryesore e kanalizimeve ndodhet rreth 50 metra larg banesave të tyre. Megjithatë,ata thonë se gjatë këtyre pesë viteve nuk kanë arritur të sigurojnë një zgjidhje për lidhjen me rrjetin.
Banorët shprehen të gatshëm të kontribuojnë edhe financiarisht për zgjidhjen e problemit,por kanë frikë të ndërhyjnë vetë,nga shqetësimi se punimet mund të konsiderohen të paligjshme dhe ata të ndeshoken.
Për këtë shqetësim, Tv Apollon kontaktoi me përfaqësues të Bashkisë Fier,të cilët,jashtë kamerave,deklaruan se çështja është në kompetencë të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve.
Banorët e Sheqit të Madh presin që shqetësimi i tyre të marrë një përgjigje konkrete,sepse sipas tyre një shërbim bazë,si kanalizimi i ujërave të zeza,nuk është thjesht çështje infrastrukture,por një nevojë e përditshme për kushte dinjitoze jetese dhe mbrojtjen e mjedisit.
SHEQ I MADH,PREJ 5 VITESH PA KANALIZIME TË UJËRAVE TË ZEZA.