INFLACIONI NË SHTATOR 2.7%, USHQIMET ME NDIKIMIN MË TË MADH.

Inflacioni i harmonizuar në Shqipëri arriti në 2.7% në shtator 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, çmimet u rritën me 0.4% në raport me gushtin, ndërsa norma e inflacionit në Shqipëri mbeti nën mesataren 3.8% të Bashkimit Europian.

Rritjen më të lartë vjetore të çmimeve e regjistroi grupi i argëtimit, sportit dhe kulturës, me 8.7%. Pas tij renditet transporti, me një rritje prej 7.1%.

Megjithatë, ndikimin më të madh në inflacionin e përgjithshëm vijojnë ta kenë ushqimet dhe pijet joalkoolike. Çmimet në këtë kategori u rritën me 2.3% në bazë vjetore, duke dhënë kontributin më të lartë në inflacion, prej 0.78 pikë përqindjeje. Kjo lidhet me peshën e ushqimeve në shportën e konsumit, që përbëjnë rreth 34.5% të saj.

Rritje çmimesh u shënua edhe te pijet alkoolike dhe duhani, si dhe te sigurimet dhe shërbimet financiare, me nga 3.2%. Ndërkohë, arsimi u shtrenjtua me 3%, ndërsa restorantet dhe akomodimi me 2.6%.

Nga ana tjetër, veshjet dhe këpucët u liruan me 2% në krahasim me një vit më parë, ndërsa çmimet e informacionit dhe komunikimit ranë me 1.2%.

Vetëm gjatë muajit shtator, rritjen më të madhe e shënoi arsimi, me 1.8%, i ndjekur nga argëtimi, sporti dhe kultura, me 1.2%, si dhe ushqimet dhe pijet joalkoolike, me 1.1%.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit përdoret për krahasimin e inflacionit mes vendeve europiane dhe ndryshon nga indeksi kombëtar, pasi përfshin edhe shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033