Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e sotme në rrugën “Petrela”, në Bathore të Kamzës, ku një konflikt mes fqinjëve përfundoi me dy viktima dhe një të plagosur rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, 40-vjeçari Ngushëllim Manzi, punonjës i Policisë Ushtarake, dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj tre vëllezërve Islamaj, me të cilët ishte përfshirë në një debat. Shkak i dyshuar i përplasjes është bërë ndërtimi i një muri rrethues mes banesave të tyre.
Si pasojë e të shtënave, humbën jetën Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, dhe Nazmi Islamaj, 48 vjeç. Ndërkohë, vëllai i tyre, Shefqet Islamaj, rreth 44 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Tre vëllezërit janë me origjinë nga Tropoja, ndërsa autori i dyshuar, i cili është nga Tirana, mësohet se ka përdorur armën e shërbimit gjatë konfliktit. Pas ngjarjes, ai u arrestua nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 5, të cilët sekuestruan edhe një pistoletë që dyshohet se u përdor në krim.
Pas arrestimit, Manzi nuk ka dhënë deklarata lidhur me ngjarjen. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar se si një mosmarrëveshje mes fqinjëve përfundoi në një tragjedi me dy të vrarë dhe një të plagosur rëndë.