Lushnja përkujtoi sot 82-vjetorin e Çlirimit, më 18 tetor, duke nderuar me homazhe dhe buqeta me lule dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e qytetit dhe të atdheut.
Në këtë ditë të shënuar historike, qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe familjarë të dëshmorëve u mblodhën në Varrezat e Dëshmorëve të Lushnjës për të përkujtuar sakrificën e atyre që luftuan për çlirimin e vendit.
Ceremonia përkujtimore nisi në orën 10:00, sipas protokollit zyrtar, me ekzekutimin e Himnit Kombëtar. Në aktivitet morën pjesë kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, e shoqëruar nga deputetët Asfloral Haxhiu, Kiduina Zaka dhe Elton Korreshi, si dhe nënprefekti Avdi Snalla.
Pjesë e ceremonisë ishin gjithashtu përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Organizatës së Dëshmorëve dhe pasardhës të veteranëve të luftës.
Nën tingujt e këngëve partizane, pjesëmarrësit parakaluan drejt memorialit, ku vendosën kurora dhe buqeta me lule, duke u përkulur me respekt përpara kujtimit të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Lushnjës dhe të Shqipërisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e Shoqatës së Dëshmorëve, Vaselika Gjergji, përshëndeti të pranishmit dhe solli në vëmendje momente nga historia e kësaj date të rëndësishme, duke theksuar domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.
Më pas, ceremonia vijoi me parakalimin përkujtimor në Varrezat e Dëshmorëve, në nderim të atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë.
82 vite pas Çlirimit, Lushnja përkulet me mirënjohje përpara dëshmorëve të saj, duke kujtuar se liria është një vlerë e çmuar, që duhet ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi.
Gëzuar 82-vjetorin e Çlirimit, Lushnjë!