Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar punonjësin e Policisë, I.T., pjesë e Forcave “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, i dyshuar për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e një 66-vjeçari.
Aksidenti tragjik ndodhi më 15 tetor 2026, rreth orës 00:45, në aksin rrugor Tiranë–Rinas, pranë kryqëzimit të fshatit Domje. Automjeti që drejtohej nga efektivi i policisë u përplas me një biçikletë, ku si pasojë drejtuesi i saj, shtetasi S.M., 66 vjeç, humbi jetën në vendngjarje.
Pas ngjarjes, efektivit të policisë iu krye testi i alkoolit, i cili rezultoi negativ, me vlerën 0.0 mg/l.
Në vijim të veprimeve hetimore, AMP bëri arrestimin e punonjësit të policisë, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Aksidentoi për vdekjen e 66-vjeçarit në aksin Tiranë-Rinas, AMP arreston efektivin e “Shqiponjave”