Protestat e gjimnazistëve kanë përfshirë edhe qytetin e Lushnjës. Një pjesë e nxënësve të gjimnazeve të qytetit i janë bashkuar sot thirrjeve të bashkëmoshatarëve të tyre, duke dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre.
Nën thirrjet “Rama ik!” dhe “Rama, jep dorëheqjen!”, të rinjtë kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke mbajtur në duar edhe flamurin kombëtar.
Gjatë protestës nuk kanë munguar thirrjet drejtuar bashkëmoshatarëve të tjerë për t’iu bashkuar tubimit. Protestuesit shprehen se dalja e tyre në rrugë lidhet me shqetësimet për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre.
Gjatë lëvizjeve në qytet janë regjistruar edhe incidente, ku disa prej protestuesve kanë përmbysur kosha të mbeturinave. Sipas informacionit të disponueshëm, nuk raportohen incidente të tjera, përveç dëmtimeve të konstatuara në koshat e mbeturinave.
Protesta ka zgjatur rreth tre orë, ndërsa të rinjtë kanë vijuar marshimin në rrugët e Lushnjës, duke përsëritur thirrjet e tyre.
TV Apollon ka ndjekur nga afër zhvillimet, duke sjellë pamje nga protesta e gjimnazistëve dhe situata në qytet.