Fieri feston 82-vjetorin e Çlirimit, qyteti mbushet me histori, traditë dhe aktivitete festive

Fieri ka kremtuar sot 82-vjetorin e Çlirimit të qytetit, përmes një programi të pasur aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe sportive, që kanë bashkuar qytetarë të shumtë në një atmosferë festive.

Festimet nisën në orët e mëngjesit me paradën e Bandës Frymore të qytetit, e cila solli tingujt e parë të festës në rrugët e Fierit.
Më pas, pranë Memorialit Historik u zhvillua ceremoniali zyrtar në nderim të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për çlirimin e qytetit.

Në ceremoni morën pjesë veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, personalitete dhe qytetarë të shumtë.

Një nga momentet më të veçanta të festimeve ishte panairi i madh historik dhe kulturor, i organizuar nga Bashkia Fier, Drejtoria e Artit, Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit.

Mbi 30 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të Bashkisë Fier sollën në zemër të qytetit muze të hapur kushtuar dëshmorëve, emrat e të cilëve mbajnë me krenari. Përmes fotografive, dokumenteve, objekteve historike dhe ekspozimeve të veçanta, nxënësit rikthyen në vëmendje historinë dhe sakrificat e heronjve, duke ndërthurur kujtesën historike me traditat dhe trashëgiminë kulturore të Fierit.

Përgjatë një segmenti të gjerë të qendrës së qytetit, atmosfera festive u gjallërua edhe nga manifestimet gjimnastikore, demonstrimet e taekwondo-s dhe aktivitete të tjera sportive.

Qytetarë të shumtë u bënë pjesë e aktiviteteve, duke e kthyer qendrën e Fierit në një hapësirë të madhe feste, kujtese dhe bashkimi mes brezave.
82-vjetori i Çlirimit të Fierit u shndërrua kështu në një festë të historisë, rinisë dhe identitetit të qytetit, ku nderimi për të shkuarën u ndërthur me aktivitete sportive.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033