UNIVERSITETI I TETOVËS ZHVILLON EDICIONIN E 20-TË TE SEMINARIT NDËRKOMBËTAR TË ALBANOLOGJISË.

Në Universitetin e Tetovës u zhvillua edicioni i 20-të i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë,me pjesëmarrjen e studiuesve,profesorëve dhe akademikëve nga Shqipëria,rajoni dhe më gjerë.
Në këtë veprimtari jubilare,vëmendja u përqendrua te zhvillimet gjuhësore,letrare,historike dhe kulturore shqiptare.
Seminarin e hapi rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij rrugëtimi akademik dhe përgjegjësinë për ruajtjen e promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Driton Sulejmani,theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së kërkimit shkencor dhe mbështetjen e bashkëpunimit akademik për zhvillimin e albanologjisë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Skënder Gjinushi,vuri theksin te nevoja për bashkëpunim dhe koordinim mes institucioneve,duke e cilësuar kërkimin shkencor si kusht për zhvillimin e arsimit të lartë.

Një kontribut të veçantë solli edhe Prof. Dr. Francesk Perri,arbëresh nga Kalabria dhe ish-kryetar i Bashkisë së Vakaricit,me temën mbi ruajtjen e arkivave, zhvillimet demografike dhe mbrojtjen e identitetit arbëresh.

Sipas drejtorit të Seminarit, Prof. Dr. Berton Sulejmani, në këtë edicion u pranuan 143 kumtesa shkencore, me 163 autorë dhe bashkautorë, të ndara në pesë sesione: gjuhësi, letërsi, histori, etnokulturë, si dhe gazetari e media.
Një nga momentet më të rëndësishme të seminarit ishte promovimi i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe,si një arritje e rëndësishme për pasurimin, dokumentimin dhe standardizimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.
Edicioni i 20-të konfirmoi rolin e këtij seminari si një hapësirë e rëndësishme për kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin akademik në fushën e albanologjisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033