KUÇOVA NIS NATËN E PARË TË FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË FILMIT KIIFF.

Kuçova ndez ekranin e kinemasë ndërkombëtare! Në ambientet e kinemasë “Kadri Roshi”, nisi nata e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, KIIFF, një mbrëmje gala që bashkoi kineastë, regjisorë, aktorë dhe dashamirës të artit nga Shqipëria dhe e gjithë bota.

Tapeti i kuq, ndriçimi festiv, ekranet gjigante dhe fishekzjarrët i dhanë qytetit të naftëtarëve atmosferën e një eventi të veçantë. Ndërsa stendat e vendosura në shesh rrëfenin historinë e Kuçovës dhe rrugëtimin e kinematografisë ndër vite.

Në një hapësirë me histori, aty ku tradita e kinemasë daton që prej vitit 1929, arti i filmit u kthye në një urë lidhëse mes kulturave dhe brezave. Pamje nga qyteti dhe sekuenca nga filma shqiptarë e të huaj u shoqëruan me tingujt e violinës, duke i dhënë mbrëmjes emocione të veçanta.

Atmosferës festive iu shtuan batutat dhe prezantimi i aktores Marjana Kondi, e cila përcolli mesazhin e mikpritjes së Kuçovës dhe prezantoi jurinë e festivalit, me në krye aktoren e mirënjohur Rajmonda Bulku. Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri.

Fjalën e mori më pas drejtori artistik i festivalit, Skënder Jaçe, i cili u ndal te rëndësia e këtij projekti dhe synimi për ta kthyer Kuçovën në një pikë takimi për kinematografinë ndërkombëtare.

Përshëndetjen e tij e përcolli edhe kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, duke vënë në dukje rrugëtimin e projektit dhe realizimin e një festivali që sjell në qytet filma dhe pjesëmarrës nga 49 vende të botës.

Ekrani i madh tashmë ka nisur rrugëtimin e tij kinematografik, i cili do të kulmojë më 18 tetor, me ndarjen e çmimeve për aktorë, regjisorë dhe kineastë shqiptarë e të huaj.

Në përfundim të natës së parë, përshtypjet dhe emocionet e festivalit i ndanë edhe anëtarë të botës së filmit.

Kuçova, përmes KIIFF-it, synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e saj kulturore, duke rikthyer magjinë e kinemasë dhe duke e vendosur qytetin në hartën e takimeve ndërkombëtare të artit të shtatë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033